Skandal në Shqipëri, produktet me afat të skaduara riktheheshin në treg me etiketa të rreme
Policia e Shtetit zbuloi në komunën e Vorës, pjesë e Bashkisë së Tiranës, një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e skadencës së produkteve ushqimore të përpunuara, të cilat ishin të skaduara që prej janarit dhe shkurtit të këtij viti.
Këto produkte më pas hidheshin sërish në treg, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, sekuestroi sasi të mëdha mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara, ndërsa u arrestuan në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri.
“Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier. U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës”, tha Policia e Shtetit.
Nga hetimet, policia thotë se rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
“Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 716 koli dhe dhjetëra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje”, u tha në njoftimin policor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve