Ministri në detyrë Hekuran Murati e demanton dhe e paditë për shpifje “gazetarin” Lirim Mehmetaj
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj një lajmi të publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj, në të cilin pretendohet se ai ka lidhje me kompani që merren me tregtinë e energjisë elektrike në Kosovë.
Murati ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si shpifje të pastra me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij. “Një shpifës ordiner sot paska tentuar që të ndërlidhë emrin tim me pretendime të pavërteta”, ka shkruar ai në një reagim publik.
Sipas Muratit, pretendimi se ai ka interes financiar në ndonjë kompani energjetike është i pavërtetë, po ashtu edhe pohimi se një këshilltar nga kabineti i tij është i përfshirë në këtë tregti.
Ai ka sqaruar se Blirind Danjolli, personi i përmendur në shkrimin e Mehmetajt, ka dhënë dorëheqje nga kabineti që në fillim të këtij viti dhe nuk ka asnjë lidhje zyrtare me të që atëherë. “Nga dita që ka dhënë dorëheqje është person privat, dhe unë si ministër as nuk marr përgjegjësi, e as nuk mund të jap llogari për angazhimet e tij pas dorëheqjes”, ka theksuar Murati.
Ministri në detyrë ka nënvizuar se sulme të tilla janë të zakonshme “sa herë që preken damarët e korrupsionit apo monopoleve zhvatëse të qeverive të kaluara”.
Ai ka bërë të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore për këtë rast, duke paralajmëruar padi për shpifje kundër gazetarit. “Pres në gjykatë ballafaqimin në mes të vërtetës dhe shpifjeve të këtij ordineri”, ka përfunduar Murati.