Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media të IPK-së, ku ndër të tjera thuhet se në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës , Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC, IPK dhe Policia e Kosovës.
Tutje në njoftim thuhet se zyrat e reja të IPK-së tani janë në lagjen e Boshnjakëve, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës. Sveçla dhe Hodaj theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit në Kosovë. Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
PO ashtu ministri i Brendshëm gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
“Ai shtoi se hapja e zyrave te reja do të kontribuojë në fuqizimin e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës. Përgjatë viteve, IPK ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur deri dje në një objekt me qera në rrugën ‘Mbreti Peter’ “, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.