Shtetet më rezerva më të mëdha të arit në Ballkan, Kosova me zero, Shqipëria ndër të fundit!
Rezervat e arit vazhdojnë të jenë një nga elementët kyç për stabilitetin financiar të vendeve dhe një garanci e fuqishme për sigurinë monetare. Në rajonin e Ballkanit, sipas të dhënave më të fundit nga burime zyrtare, Greqia dhe Serbia kryesojnë për nga sasia e arit që mbajnë në rezervat shtetërore, përcjell INA.
Renditja e shteteve të rajonit sipas rezervave të arit:
Greqia – 114 tonë
Greqia është lider absolut në Ballkan për nga sasia e arit në rezervë. Ari ruhet kryesisht në Bankën e Greqisë dhe pjesërisht jashtë vendit, në partnerë ndërkombëtarë.
Serbia – 50.5 tonë
Sipas guvernatores së Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq, Serbia ka rritur ndjeshëm rezervat e saj që nga viti 2018, duke blerë edhe nga prodhimi i brendshëm. Serbia është lider mes vendeve të ish-Jugosllavisë. Por siç dihet, Serbia disponon rezerva edhe të konfiskuara që i takojnë pasurive të Kosovës dhe Vojvodinës, por edhe mbetje nga ish-federata jugosllave, pasi që rezervat e arit ishin në Beograd.
Bullgaria – rreth 40 tonë
Bullgaria ka rezerva të konsiderueshme të arit, të cilat e ndihmojnë në mbështetjen e stabilitetit të monedhës kombëtare dhe politikave fiskale.
Maqedonia e Veriut – 6.89 tonë
Rezervat e Maqedonisë e vendosin atë si vendin e katërt në rajon. Ato ruhen nga Banka Popullore dhe janë të destinuara për qëllime të stabilitetit financiar.
Sllovenia – 3.48 tonë
Një pjesë e vogël e rezervës mbahet nga Banka e Sllovenisë dhe shërben si rezervë valutore shtesë.
Bosnja dhe Hercegovina – rreth 3 tonë
Edhe pse pa një valutë të vetën (përdor markën konvertibile të lidhur me euron), Bosnja ka ruajtur sasi të kufizuara të arit.
Kroacia – afërsisht 2 tonë
Kroacia ka një rezervë të vogël të arit, e cila ruhet jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Pas anëtarësimit në eurozonë, roli i arit në politikën monetare është zvogëluar.
Shqipëria – rreth 1.6 tonë
Banka e Shqipërisë zotëron një rezervë modeste ari, krahas aseteve të tjera në valutë të huaj dhe obligacione.
Mali i Zi – rreth 1.1 tonë
Edhe Mali i Zi, që përdor euron si valutë, ka një sasi të kufizuar ari në rezervat e tij zyrtare.
Kosova – 0 tonë ari
Kosova nuk ka ende një rezervë zyrtare ari, por posedon rezerva valutore dhe asete të tjera të mbajtura në Fondin e Kursimeve të Mirëbesimit (Trusti) dhe institucione ndërkombëtare.