Kosova po zbrazet, ndërsa ne ende matemi me merita
Shkruan: Prof.dr. Petrit Hasanaj
Pas më shumë se dy dekadash në liri, Kosova po përballet me një sfidë që po thellohet çdo ditë: zbrazjen e vendit nga njerëzit. Ky fenomen dramatik po ndodh në heshtje, por pasojat janë të dukshme – fshatra të boshatisur, shkolla të mbyllura, të rinj që e shohin të ardhmen vetëm jashtë kufijve të Kosovës. Në këtë realitet alarmant, shoqëria kosovare duket se ende po ngul këmbë në një debat të padobishëm: kush ishte më meritor për çlirimin e Kosovës.
Ky debat nuk është i ri, por tashmë është bërë i lodhshëm dhe i dëmshëm. Po shpenzojmë energji për të ndarë lavdinë e së kaluarës, ndërsa po e humbim të tashmen dhe, çka është më e keqja, po e rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Një grup thekson me të drejtë rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një tjetër nënvizon rëndësinë e rezistencës paqësore. Por një pjesë e madhe e popullsisë i përket një grupi të tretë, shpesh të harruar – atij të civilëve të zakonshëm, njerëzve që nuk u larguan nga shtëpitë e tyre atëherë kur mbijetesa ishte pothuajse e pamundur. Ata janë themeli mbi të cilin qëndron sot shteti ynë. Dhe mos harroni: as ata nuk kërkuan kurrë lavdi.
Ajo çfarë është edhe më shqetësuese është fakti se tashmë shoqëria jonë ka filluar t’i ndajë edhe dëshmorët, duke e vendosur në kandar sakrificën e secilit. Dhe ky është një turp kolektiv. Të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë, e bënë për të njëjtin ideal: që ne sot të jetojmë të lirë, me dinjitet, në një shtet më të mirë. Dhe në vend që kjo liri të na shërbejë si frymëzim për zhvillim dhe drejtësi, ajo shpesh po keqpërdoret nga një pakicë që përfiton pa merita, në dëm të shumicës.