POLITIKATË FUNDIT

6 goditje precize nga AKI, një mesazh i qartë për spiunët në Kosovë

Zyrtari policor, Bojan Jevtiq, i cili mbante njëkohësisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një prej strukturave të policisë në pjesën veriore të Kosovës, është arrestuar gjatë ditës së sotme, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari spiunazhi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se, nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Operacioni është ende në zhvillim dhe, për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit”, njoftoi Prokuroria, pa dhënë më shumë detaje.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, ky është një mesazh i qartë i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

“6 goditje precize, një mesazh i qartë: AKI nuk vëzhgon – AKI vepron! Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe neutralizimit të suksesshëm të një tjetër rasti me rëndësi të lartë për sigurinë kombëtare, duhet të theksojmë me bindje se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është duke dëshmuar jo vetëm efikasitet, por një standard të ri të profesionalizmit në veprim. Ky është rasti i gjashtë, brenda një periudhe të shkurtër kohore, ku AKI ka vepruar me saktësi, pa zhurmë, por me ndikim konkret në ruajtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e kërcënimeve serioze”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, është për t’u lavdëruar puna e AKI-së.

“Në një kontekst rajonal të mbushur me sfida hibride, ndërhyrje të huaja dhe tendenca destabilizuese, është mëse e rëndësishme që të njihet puna e strukturave të inteligjencës sonë. Jo vetëm që janë në kohë me informacionin, por janë një hap përpara në veprim. As shërbimet më të mëdha ndërkombëtare nuk regjistrojnë një përqindje kaq të lartë të suksesit operacional në një afat kaq të shkurtër kohor”, shprehet Shala.

“Ky nuk është rastësi – është rezultat i ndërtimit institucional të qëndrueshëm, reformës në qasje operative, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe, mbi të gjitha, përkushtimit dhe integritetit të stafit të AKI-së. Në një kohë kur shpesh në publik vëmendja orientohet drejt kritikës, është e nevojshme që, kur rezultatet flasin vetë – të mbështesim dhe të afirmojmë profesionalizmin vendor”, përfundon eksperti Drizan Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *