TË FUNDIT

Analisti i sigurisë i kundërpërgjigjet MTS-së: Punëtori juaj, me nofkën “Mami”, mori pjesë në aksionin terrorist në Banjskë

Agim Musliu, analist i sigurisë, në një postim në profilin e tij në Facebook ka ngritur akuza serioze ndaj operatorit serb në Kosovë, MTS, për lidhje të tërthorta me sulmin terrorist në Banjskë. Ai thotë se një nga pjesëmarrësit kryesorë në atë sulm, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, ka qenë punonjës i MTS dhe ka marrë pagë mujore nga kjo kompani për vite me radhë.

“Ju mund të bëni edhe padi, por faktet nuk mund t’i zhdukni për implikimin e juaj në mbështetje të grupit terrorist,” ka shkruar Musliu, duke iu drejtuar publikisht kompanisë serbe.

Sipas tij, Radivojeviq ka qenë shofer personal i drejtorit të MTS-it, Zoran Millojeviq, dhe ka përfituar nga kjo kompani pagë që arrinte deri në 1,246.26 euro në muaj. Musliu shton se burimet e tij brenda strukturave të sigurisë së Kosovës e konfirmojnë këtë informacion.

Vladimir Radivojeviq, një figurë e njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, ishte përfshirë në organizimin e barrikadave në veri, kishte lidhje të ngushta me strukturat ilegale dhe Listën Serbe, dhe ka qenë pjesë e organizates së shpallur terroriste “Mbrojtja Civile”. Ai dyshohet gjithashtu për futjen e armëve ilegale nga Serbia në Kosovë, gjatë dhe para vendosjes së barrikadave.

Në vitin 2021, Radivojeviq kishte marrë pjesë në një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, bashkë me Goran Rakiqin dhe zyrtarë të tjerë të Listës Serbe. Në atë takim, i ishte drejtuar Vuçiqit me fjalët:

“Nëse Serbia nuk intervenon dhe nuk bën diçka në lidhje me ndalimin e prezencës së Policisë së Kosovës në veri, atëherë do të bëjmë diçka të madhe dhe do të largohemi përgjithmonë nga Kosova.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *