POLITIKATË FUNDIT

Tomë Gashi shpërthen për rastin ‘Veteranët’ – zbulon mashtrimet dhe paralajmëron ndëshkim të ashpër!

Me nga një vit burg veç-e-veç: dhjetë persona të dënuar për rastin “Veteranët”.

Të dënuar me verdikt të Gjykatës Themelore të Prisbtinës u shpallën ish-Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku dhe nëntë të tjerë të akuzuar me të: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari..

Dy të tjerë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, u liruan.

closevolume_off
Aktgjykimi konstatoi se dhjetë të dënuarit janë fajtor për Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare nga Kodi Penal në Nenin 422 dhe kanë konsumuar veprën penale konsekuente.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Avokati thotë se aktgjykimi i Gjykatës Themelore konfirmon një të vërtetë të njohur prej kohësh – që mijëra persona kanë përfituar padrejtësisht statusin e veteranit, duke dëmtuar rëndë veteranët e vërtetë, luftën çlirimtare dhe buxhetin e Kosovës, ndërkohë që reagimet publike kanë munguar pothuajse krejtësisht.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë e vërteton atë që të gjithë e kanë ditur, por pak e kanë thënë.

Është ditur se mijëra persona kanë arritur që, përmes makinacioneve të ndryshme, të marrin statusin e veteranit, duke i dëmtuar rëndë veteranët e vërtetë, ata që sakrifikuan gjithçka që kishin në luftë për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

Për mua është paksa e çuditshme që ka pasur kaq pak reagime publike ndaj fenomenit të veteranëve të rrejshëm, të cilët, përveç dëmit të madh që i bënë luftës së drejtë dhe luftëtarëve të vërtetë, e dëmtuan edhe buxhetin e Kosovës me qindra miliona euro – dhe pothuajse askush nuk reagoi”, u shpreh Gashi.

Tutje, avokati shton që fryrja e listave të veteranëve të rrejshëm duket të ketë qenë një marrëveshje politike e pushteteve para vitit 2021, për të ruajtur ndikimin dhe qëndrimin në pushtet përmes votave të përfituara nga ata persona dhe familjet e tyre.

“Pak kush mund ta besojë që kjo nuk ka qenë një marrëveshje politike e atyre që ishin në pushtet para Lëvizjes Vetëvendosje, pra para vitit 2021.

Sepse duket se në atë kohë, pothuajse të gjithëve u ka konvenuar numri i stërmadhuar në mënyrë artificiale i veteranëve të rrejshëm – ndër të tjera, për të qëndruar në pushtet, duke llogaritur edhe në votat e tyre dhe të familjarëve të tyre”, shton avokati.

Në fund, ai nënvizon se është shqetësuese mungesa e reagimit publik ndaj mashtrimeve me statusin e veteranit, ndonëse ato janë bërë me dijeni dhe nënshkrime zinxhirore, dhe thekson nevojën që listat të pastrohen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

“Edhe më e çuditshme është që pothuajse askush nuk reagoi publikisht ndaj rritjes së madhe të numrit të veteranëve mashtrues, edhe pse dihet se ka qenë e nevojshme firmosja e disa zinxhirëve komandues për të marrë këtë status.

Shpresojmë që listat të pastrohen nga mashtruesit dhe që secili prej tyre të përballet me pasojat ligjore për atë që kanë bërë për dekada me vetëdije të plotë”, përfundoi Tomë Gashi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *