POLITIKATË FUNDIT

Ekskluzive- Dënohet me 6 muaj burg personi që kërcënoi me vrasje kryeshefin e “TrainKos”, u largua nga puna për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore Prishtinë- Dega në Fushë Kosovë me 12 qershor të këtij viti e ka dënuar me 6 muaj burg të pandehurin Astrit Berisha nga Klina për kërcënimin e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes publike “TrainKos” Agron Statovci. Dënimin prej 6 muaj burg i pandehuri Astrit Berisha pas pranimit të fajësisë i është mundësuar që ta zvendësoi me dënim me gjobë prej 1000 euro.

KosovaNews ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në të cilën jepen detaje rreth rastit të kërcënimit me vrasje të Kryeshefit të “TrainKos” Agron Statovci nga ish punëtori i kësaj ndërmarrje Astrit Berisha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me datë 30 maj 2025 ka paraqitur aktakuzë pranë gjykatës kundër të pandehurit Astrit Berisha pëer shkak të veprës penale kanosje nga neni 181 i kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës i pandehuri Astrit Berisha me datë 20 prill 2025 me qëllim të shkaktimit të frikës dhe ankthit përmes telefonit seriozisht e kishte kanosur me fjalë se do ta privoj nga jeta kryeshefin e “TrainKos” Agron Statovcin.

Të pandehurit Astrit Berisha i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në kompani pasi që i njëjti ishte larguar për shkak të keqpërdorimit të detyrës.

Pas kësaj Berisha kishte shkuar tek ndërmarrja “TrainKos” dhe kishte tentuar të futej në parking mirëpo nuk ishte lejuar nga ana e sigurimit ku më pas përmes telefonit e kishte thirrë kryeshefin Statovci dhe e kishte kërcënuar me fjalë të rënda.

“Kush jeni ju me ma ndalu hyrjen në ndërmarrje, ka me ta qi nanen, grun dhe qiken dhe veç mos dalsh prej atyhi se edhe ka me të vra” iu kishte drejtuar përmes telefonit i pandehuri kryeshefit të “TrainKos”.

Menjëherë pas kësaj kryeshefi Statovci e kishte paraqitur rastin në polici pasiqë i pandehuri Berisha i kishte shkaktuar frikë dhe ankth për jetën e tij dhe të familjes së tij.

Si rrallë herë në Kosovë Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte aktivizuar menjëher dhe pas hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave kishte paraqitur aktakuzë me 30 maj 2025 pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për këtë çështje penale në prokurori palët kanë negociuar dhe lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, andaj gjykata bashkë me aktakuzë ka pranuar këtë marrëveshje për çka të akuzuarit i është shqiptuar dënimi minimal prej 6 muaj e cila i është konvertuar në dënim me gjobë prej 1000 euro.

Në janar të këtij viti ndërmarrja “TrainKos” kishte larguar nga puna 12 kondukterë nën dyshimin se kishin manipuluar me arkat fiskale duke keqpërdorur 230 mijë euro.
KosovaNews mëson se në mesin e të larguarve ishte edhe Astrit Berisha i cili më pas e kishte kërcënuar me vrasje kryeshefin e “TrainKos” Agron Statovci.
Ndërmarrja Trainkos në atë kohë këtë rast e kishte denoncuar edhe në prokurori mirëpo prokuroria ende nuk ka marrë asnjë hap lidhur me këtë çështje.

Në profilin e tij në facebook i pandehuri Astrit Berisha shihet se është një militant i flaktë i PDK-së ku ka shume fotografi me eksponent të lartë të PDK-së. Ai ka shpërndarë shumë postime kundër kryeministri Kurti madje duke bërë thirrje edhe për arrestimin e tij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *