Dënim qesharak apo drejtësi e blerë? Ish-agjenti i SHIK-ut godet sistemin: Prokurorët vijnë nga klanet e…
Të hënën, aktgjykim dënues ka nxjerrë Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.
10 nga të akuzuarit, ish-kryeministrin Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u dënuan me nga një vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Të akuzuarit Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demalia, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë fajtorë për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës dhe gjykata në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale të kodit penal të Republikës së Kosovës të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim secilin veç e veç me kohëzgjatje prej 1 viti. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të formojë komisione përkatëse që në procedurë administrative të bëj rishqyrtimin e listës prej 19,500 personave aplikues veteran luftëtarë si në shtojcën e aktakuzës së prokurorisë speciale në afat prej 1 viti pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë”, ka thënë Gazmend Bahtiri, kryetar i trupit gjykues.
Ndërsa, janë liruar dy nga të akuzuarit, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, kjo sipas trupit gjykues, per shkak se ata nuk ishin zyrtarë në kohën e kryerjes së veprës penale.
“Të akuzuarit Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, me shënime personale si në shkresa të lëndës, në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë cilësinë e personit zyrtar”, ka shtuar Bahtiri.
Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin dënues për 10 të akuzuarit.
Nga ky institucion kanë thënë se pas pranimit të aktgjykimit, do të vendosin për paraqitjen e ankesës në Gjykatën e Apelit sa i përket lartësisë së dënimit.
Prokuroria në një komunikatë ka shkruar se do ta shqyrtojë se si do të veprojë lidhur me ankesën edhe në raport me dy të pandehurit të cilët janë liruar.
Sipas aktakuzës 12, të pandehurit e kanë dëmtuar buxhetin publik për 88 milionë euro, pasi si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit ua kanë mundësuar fitimin e statusit të veteranit në mënyrë të kundërligjshme personave të cilëve u kanë krijuar qëllimisht përfitim pasuror.
Dënim i merituar apo drejtësi e korruptuar, për këtë ka folur ish- agjenti i SHIKU-ut, Naim Miftari, i cili konsideron se drejtësia në Kosovë e ka humbur kuptimin, sidomos kur preken strukturat e “paprekshme” të pushtetit.
Miftari në një bashkëbisedime me gazetën “Bota sot”, thptë se rasti gjyqësor që prek mbi 40.000 veteranë të rrejshëm është kthyer në një telenovelë latine.
“Dënimi “drakonik” prej vetëm një viti burg për ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit e tjerë në rastin “Veteranët” është asgjë më shumë se një farsë e gjykatave dhe prokurorive të Kosovës.
Në mesin e të dënuarve për këtë rast janë: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari – figura publike që për vite me radhë kanë përfituar nga një sistem i manipuluar për interesa politike e personale.
Ky rast gjyqësor, i cili prek mbi 40.000 veteranë të rrejshëm, është kthyer në një telenovelë latine. Për fat të keq, drejtësia në Kosovë e ka humbur kuptimin, sidomos kur bëhet fjalë për të prekur strukturat e “paprekshme” të pushtetit”, deklaron Miftari.
Sipas tij, gjykatat bëjnë shaka me ligjin e qytetarët.
“Ky rast të kujton tregimin e njohur, ku një i burgosur dënohet me 10 vite për një karrocë kashte, ndërsa një tjetër që kishte vjedhur miliona euro, merr vetëm 2 vite burg. Kur i pari ankohet se pse mori 10 vite për kashtë, ndërsa tjetri vetëm 2 vite për miliona, ky i fundit i përgjigjet: “Gjykatësit hanë para, nuk hanë kashtë.” Njëjtë po ndodh sot në Kosovë – gjykatat po bëjnë hajgare me ligjin dhe me qytetarët. Mafia politike e komandantëve të pasluftës, e cila e ka mbushur listën e veteranëve me militantë partiakë, dashnore dhe njerëz që s’kanë pasur kurrë lidhje me luftën, ia doli që të largojë nga Kosova edhe prokurorin Elez Blakaj – njeriun që kishte guximin të merrej me këtë rast me seriozitet. Ky prokuror, që ligjërisht dhe profesionalisht nisi hetimet për zbardhjen e mashtrimeve me listat e veteranëve, u detyrua të largohej për shkak të kërcënimeve nga komandantët milionerë, por edhe nga mungesa e mbështetjes institucionale – përfshirë nga vetë kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj. Dihet botërisht se shumica e veteranëve të rrejshëm janë votues të AAK-së, PDK-së dhe LDK-së”, shprehet ish- agjenti.
Sipas tij, rasti me shumë gjasë do të përfundojë pa asnjë pasojë reale dhe me siguri edhe dënimet do të jenë të vogla që do të falen ose do të harrohen me kalimin e kohës.
“Ndërkaq, prokurorët e sotëm – që me gjasë janë të përzgjedhur politikisht nga akademia e Adem Grabovcit – sot po bëjnë teatër me ligjin. Dënimi prej vetëm një viti burg për komandantët që kanë mashtruar me dhjetëra mijëra emra është një ofendim për drejtësinë dhe një tallje me viktimat e vërteta të luftës. Ky rast me shumë gjasë do të përfundojë pa asnjë pasoje reale. Është më se e sigurt që edhe këta dënime të vogla do të falen ose do të harrohen me kalimin e kohës. Në fakt, me nga një vit burgim duhet të dënohen vetë 40.000 veteranët e rrejshëm, ndërsa komandantët që i kanë futur në lista për përfitime materiale e politike, që kanë vjedhur fondet e luftës dhe kanë njollosur emrat e dëshmorëve e të invalidëve të vërtetë – për këta, as dënimi me burg të përjetshëm nuk mjafton. Ta fusësh në të njëjtën listë një dëshmor, një luftëtar të vërtetë të UÇK-së, me një matrapaz, një dallaverexhi apo një pro-serb të futur aty për vota, është një tradhti e rëndë ndaj shtetit, ndaj lirisë dhe ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky vendim i fundit na kujton edhe farsën me dënimin e Pal Lekajt, që për një aferë me mbi 50 milionë euro të zhdukura nga shteti, u dënua kinse me vetëm 3 vite burg. Këto dënime nuk janë drejtësi – janë fyerje ndaj popullit dhe ndaj luftës për çlirim”, përfundon Miftari.