Rikthimi i SHBA-së në Ballkan?/ Eksperti zbërthen mesazhin e Trump-it dhe ndikimin për Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përmendur disa herë ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.
E për këtë deklarata të Trump, ka folur së fundi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
ImageFatjon Softa.Foto galeri
Si fillim, ai u shpreh se nuk ka qartësi në deklaratën e presidentit amerikan, se për kur saktësisht bëhet fjalë për një konflikt ushtarak, derisa në këtë pikë përmendi edhe Grenellin.
Megjithatë, Softa vlerëson se Trump do synojë zgjidhjen e krizave mes shteteve dhe do marrë rolin e ndërmjetësuesit të paqes në Ballkan.
“Trump nuk është shumë i qartë dhe deklarata e tij është e turbullt, unë mendoj që ai i referohet periudhës së viteve 2019–2020, kur Richard Grenell, i dërguari tij, zhvilloi disa takime në Serbi dhe Kosovë, që u finalizuan me nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington më 4 shtator 2020, që përfshinte marrëveshje ekonomike për ndërtimin e hekurudhave, autostradave, energjianë, kërkesa për ndërprerjen e fushatës ndërkombëtare të Serbisë për mos njohje të Kosovës apo të tërheqjes së njohjeve të Kosovës, kërkonte uljen e tensioneve politike, etj.
Sipas Trump, ai pretendon që në atë periudhë kishte informacione për një konflikt ushtarak dhe se ndërhyrja e tij e ndaloi. Por, nuk ka prova të besueshme që një luftë e tillë ishte e mundur që të ndodhte, veç tensioneve të zakonshme.
Trump kërkon të rrisë rolin e tij në zgjidhjen e krizave dhe si një misionar i paqes dhe rolin e tij në Ballkan”.
Sipas ekspertit, këto deklarata janë sinjal që SHBA ka interes në Ballkan dhe do angazhohet më tej.
Në këtë pikë, tha se Kosova duhet të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me SHBA-në, derisa përmes NATO-s ajo është garanca e sigurisë së vendit tonë.
“Këto deklarata forcojnë besimin e interesit të tij për zonën e Ballkanit, si një influencë në rritje e SHBA, ku Rusia, Kina dhe BE janë gjithashtu të angazhuara.
Të godasë paraardhësinë e tij Biden, duke nënkuptuar se pas largimit të tij rajoni u destabilizua.
Kosova duhet të përforcoj marrëdhëniet me SHBA, si një garanci e sigurisë dhe ekistencës së saj, në veçanti përmes NATO-s dhe prezencës ushtarake në territor”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.
Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të Trumpit, nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, në praninë e tij, në vitin 2020.
Megjithatë, marrëveshja, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk u zbatua kurrë në tërësi.