FSK-ja pajiset me autoblinda amerikanë, ish- ushtaraku jep shpjegime/ Ja çfarë zbulon
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën.
Të hënën është raportuar në media se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë pajisur me autoblinda amerikanë.
Nga informacionet brenda Ministrisë së Mbrojtjes mësohet se autoblindat amerikanë janë donacion nga ShBA-ja për ushtrinë e Kosovës.
closevolume_off
Gjithashtu, një pjesë e tyre thuhet se kanë arritur në bazat e FSK-së, kurse edhe shumë të tjerë pritet të arrijnë gjatë ditëve në vijim.
Donacioni që ka ardhur shihet edhe përmes videove të cilat janë publikuar në rrjete sociale, ku shihet që autoblindat amerikanë barten drejt kazermës ushtarake.
Duke komentuar këto autoblinda, ish- ushtaraku Hafir Hoxha, thotë se ato mjete nuk posedojnë armë të rënda, artileri, armë kundërajrore apo sisteme sulmuese avancuara.
“Automjetet e blinduara transportuese janë mjete të destinuara ekskluzivisht për transportimin e njerëzve – ushtarëve, policëve apo zyrtarëve të tjerë – në zona potencialisht të rrezikshme, ku mund të ketë kërcënime nga armë të lehta konvencionale. Këto mjete nuk posedojnë armë të rënda, artileri, armë kundërajrore apo sisteme sulmuese të avancuara dhe për rrjedhojë nuk konsiderohen si armatim ofanziv, por si mjete transporti dhe mbrojtjeje”, deklaron Hoxha për “Bota sot”.
ImageHafir HoxhaFoto galeri
Sipas tij, është me rëndësi të shpjegohet se nuk bëhet fjalë për “armatimin” e FSK-së.
“ FSK-ja është pajisur me një numër të kufizuar të tillë automjetesh, si ndihmë nga shteti aleat – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, në hapësirën tonë publike, ku shpesh mungon njohuria mbi dallimin ndërmjet mjeteve ushtarake transportuese dhe atyre luftarak, krijohet zhurmë e panevojshme dhe propagandë e dëmshme. Është me rëndësi që opinionit t’i shpjegohet me qetësi se nuk bëhet fjalë për “armatimin” e FSK-së, por për ngritjen e kapaciteteve të saj për siguri dhe reagim emergjent. Këto mjete nuk përbëjnë kërcënim për askënd, por janë element bazë i mbrojtjes dhe funksionimit në kushte të vështira. Prandaj, ftojmë median dhe qytetarët që të mos bien pre e keqinformimit apo interpretimeve të nxituara që vetëm sa dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e institucioneve tona të sigurisë”, shton ish-ushtaraku.
Theksojmë, se stërvitjet e FSK-së me ushtarët amerikanë nuk ndalen.
Ushtarët e FSK-së, janë stërvitur me ushtarët e NATO-s në “Defender Europe 2025”, stërvitje kjo më e madhe ushtarake në Evropë.
Këto ushtrime janë zhvilluar në 18 shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Suedinë.
Ky ushtrim ka për qëllim të testojë aftësitë e dislokueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë të forcave të NATO-s dhe partnerëve të saj, si dhe të përmirësojë gatishmërinë për reagimin ndaj krizave në rajon