OPINIONTË FUNDIT

“Dorë mbi policinë, dorë mbi shtetin”- Veprimtari shqiptaro-amerikan reagon ashpër kundër sulmeve të fundit ndaj Policisë

Gjatë ditës së djeshme (e shtunë) u raportua se një person është arrestuar të premten në mbrëmje në Ferizaj, pasi i njëjti kishte sulmuar dy zyrtarë policorë. Rasti ka ndodhur në rrugën Ejup Bajraktari.

Sipas raportit, i dyshuari thuhet se fillimisht i ka penguar policët për ta arrestuar djalin e tij, i cili dyshohej për narkotikë, ndërsa më pas edhe i ka sulmuar fizikisht.

Dy zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Raportohet se gjatë arrestimit të një personi të dyshuar për narkotik, babai i tij ka penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Dy zyrtarë policorë kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ditëve të fundit kanë shpërthyer polemikat lidhur me punën e Policisë së Kosovës pas rastit të vdekjes së 29 vjeçarit Agon Zejnullahu javën e kaluar në qytetin e Lipjanit.

Nga ana tjetër, rasti i sulmit ndaj dy policëve në Ferizaj ka nxitur reagimin e ashpër të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, që jeton në SHBA, Hafiz Shala.

Shala e ka cilësuar sulmin ndaj policisë si akt që prek drejtpërdrejt shtetin dhe rrezikon të çojë shoqërinë drejt anarkisë.

ImageHafiz Shala
“Aty ku ngrihet dorë ndaj policisë, ngrihet dorë ndaj shtetit. Në një rast të tillë, ai shtet rrezikon të rrëshqasë drejt anarkisë. Kështu kishin vepruar edhe djemtë e Adem Grabocit, kur në pushtet ishin ata që, në emër të lirisë “që na e sollën”, kërkonin që populli të duronte krimin, hajninë, familjarizmin, anarkinë, bashkëpunimin dhe mercenarizmin me armikun – Serbinë”, ka thënë Shala në një reagim publik.

Shala bëri një paralelizëm me të kaluarën politike të vendit, ku sipas tij, në emër të lirisë janë toleruar krime, hajni dhe bashkëpunime me Serbinë, ndërsa pjesë të shoqërisë janë manipuluar me narrativa patriotike për përfitime politike dhe materiale.

Ai kritikoi ashpër ata që, siç thotë ai, “vodhën shtetin dhe popullin, bashkëpunuan me armikun dhe nënshkruan marrëveshje që rrezikuan integritetin territorial të vendit”.

“Ata e konsideronin veten zot të Dardanisë, dhe ku përfunduam? Disa në Hagë, e disa jashtë saj. Disa milionerë me para të vjedhura nga vetë populli, për të cilin lotojnë me lot krokodili nëpër tubime të vetëorganizuara. Para se të flasin për gjendjen e rëndë socio-ekonomike, theksojnë kontributin e luftëtarëve, veteranëve të vërtetë dhe familjeve të tyre – por jo të atyre të rrejshëm, të cilët e rritën numrin në mbi 60 mijë për vota dhe përfitime materiale.

Rrihnin gjoksin se ata e çliruan Dardaninë. Është e vërtetë që ata që sot prehen nën dhe e disa që janë ende gjallë, ishin nismëtarë të “vallës së lirisë”, por në realitet, lufta u përfundua dhe vendi u çlirua me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë nuk i konsideroj çlirimtarë të vërtetë ata që kapitali, paraja dhe pushteti ua rrëmbyen moralin dhe patriotizmin. Ata që vodhën shtetin dhe popullin, që erdhën në pushtet me ndihmën e Listës terroriste serbe dhe Vuçiqit, që falën territore, bashkëpunuan me armikun – Serbinë, dhe pranuan e nënshkruan marrëveshje që prejudikuan ndarjen e veriut përmes të ashtuquajturit “korrigjim kufijsh”, është shprehur ai.

Për veprimtarin shqiptaro-amerikan, ata që themeluan Gjykatën Speciale njëetnike e raciste si rezultat i shantazhit nga Serbia, nuk mund të konsiderohen çlirimtarë të vërtetë.

Në qëndrimin e tij, Hafiz Shala thekson rëndësinë e Policisë së Kosovës si një nga institucionet më profesionale dhe të përkushtuara në rajon.

Ai dënoi përpjekjet për ta komprometuar këtë institucion dhe shprehu shqetësimin për dëmet që shkaktohen jo vetëm brenda vendit, por edhe në perceptimin ndërkombëtar të sigurisë dhe ligjshmërisë në Kosovë.

“Kjo sjellje duhet të ndalohet rreptësisht, pasi është shndërruar në mjet për përfitime politike dhe për të sulmuar pushtetin aktual katërvjeçar. Kjo aspiratë e opozitës për të komprometuar qeverinë, duke kërkuar dorëheqjen edhe të strukturave që s’kanë lidhje me zinxhirin komandues të shërbimit, është e papranueshme.

Tentimi për të komprometuar policinë – ndër më të përgatiturat në Ballkan dhe Evropë – është i dëmshëm. Kjo polici, që me jetë mbron sovranitetin në veri, po sulmohet me veprime që i japin Serbisë mundësinë ta etiketojë si “vrastare e qytetarëve të vet, madje edhe shqiptarëve”. Atëherë, çfarë do t’u bëjnë serbëve “që po kërcënohen çdo ditë me përzënie drejt Serbisë”?

Kjo është tragjike për ne si popull, si komb dhe si shtet.

Gjendja në të cilën kemi ardhur është për shqetësim të thellë – publik dhe shtetëror”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *