Akuzat mes Lushtakut dhe Lladrovcit: Kërkohen ndryshime në PDK
Në kohën kur po afrohen zgjedhjet lokale, përsëri kanë dalë në pah përplasjet që ekzistojnë brenda Partisë Demokratike të Kosovës.
Së fundi, një shkëmbim akuzash të ashpra ka shpërthyer në mes të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili synon që në zgjedhjet lokale të zgjidhet përsëri kryetar i kësaj Komune.
Siç ka thënë Lladrovci, Lushtaku e ka sulmuar në mënyrë të paparë në vitin 2021 gjatë fushatës elektorale. Sipas tij, Lushtaku ka ambicie të fshehta për të qeverisur Komunën e Drenasit, edhe pse aktualisht është nënkryetar i Skenderajt.
Kurse Lushtaku, duke iu përgjigjur Lladrovcit, ka thënë se nuk dëshiron të merret me “njerëz me probleme psikike”, duke nënkuptuar se Lladrovci është emocionalisht i paqëndrueshëm.
E analistët politikë thonë se kjo është luftë për pushtet në Drenicë brenda PDK-së. Sipas tyre, është fatkeqësi për PDK-në që identifikohet me këto figura në Drenicë.
Garda e vjetër e PDK-së
“Është për keqardhje që rajoni i Drenicës, të cilin përbëjnë Drenasi dhe Skenderaj, të identifikohet me mendësinë e Ramiz Lladrovcit dhe Sami Lushtakut, ku të dy shfaqin një primitivizëm edhe në komunikim publik në stilin ‘a ta rrasi, inati i pelës, budalla me budallë’, e që janë fyerje për qytetarët e këtyre dy komunave, por edhe për historinë e lavdishme të Drenicës, jo vetëm në aspektin e luftës për liri, por edhe në sfera të tjera si arsim, shkencë e kulturë”, thotë analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.
ImageNexhat HaziriFoto galeri
Sipas tij, është e pakuptueshme se si PDK, pavarësisht brezit të ri, vazhdon të kontrollohet nga garda e vjetër.
“Është e pakuptueshme edhe nga PDK, kur merret parasysh se ky rajon është rezervar i votave për këtë subjekt politik, por që tashmë po ashtu ka një brez të ri të politikanëve me profil të lartë profesional, intelektual e politik që vijnë nga Drenasi e Skenderaj, dhe akoma vazhdon t’i fyejë votuesit e saj besnikë me Lladrovcin e Lushtakun”, shprehet Haziri.
“Unë nuk pres që PDK-ja të pësojë ndonjë tronditje, as nga ‘qartja e dy zotnive në mes veti’ edhe nëse nuk e kandidon ndonjërin nga ta, por do të ishte shumë e dëshiruar që PDK-ja të reflektonte mbi këtë situatë, duke iu ofruar elektoratit drenicas alternativa të reja me integritet profesional, moral e politik, gjë që nuk i mungojnë, dhe riciklimi i figurave të konsumuara e të bajatshme, po e theksoj edhe një herë, se është fyerje për votuesit e saj në Drenicë, por edhe për vetë PDK-në”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.
Tensionet në Drenicë
Kurse analisti Blerim Burjani thotë se PDK në Drenicë vazhdimisht është përballur me tensione politike në prag të zgjedhjeve lokale.
“Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tërmete politike në Drenicë, e sidomos në Gllogovc. Edhe në kohën kur ishte Thaçi lider ka pasur probleme me kandidatura. Gjithmonë në prag të zgjedhjeve lokale kanë dalë jo rrallë dy kandidatura. Lladrovci e di mirë që po dështon të fitojë postin e kryetarit të Komunës, mbetet me pije çaj nëpër oda. Arsyet janë edhe personale të tij që nuk lëshon pe, por ka edhe arsye të tjera dhe interesa të shumta ekonomike, kryesisht”, shprehet Burjani.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Lladrovci është më i sinqertë politikisht se sa të tjerët, por sidoqoftë, Lladrovci po angazhohet për karrierë personale. Situata në Drenas gjithmonë ka qenë problematike. Tash ata nuk kanë konsensus dhe nuk besoj se merren vesh ndonjëherë në atë komunë, janë shumë kompleks”, thekson Burjani.
Për fund, Burjani deklaron se Bashkimi Demokratik mund ta rrezikojë fitoren e PDK-së në zgjedhjet lokale në Drenas.
“Deri më tash, PDK nuk e ka humbur këtë komunë për shkak se nuk ka pasur parti të tjera të fuqishme në këtë territor. Tash është edhe një parti garuese – Bashkimi Demokratik, Partia e Gjelbër. Deri tash nuk dihet se kush do të jetë kandidat për kryetar komune, pra a do të jetë Lladrovci apo dikush tjetër nga PDK, kundër një kandidati serioz”, përfundon analisti Blerim Burjani.