“Vlora si porti ushtarak më i fortë në Mesdhe”, paralajmëron Ngjela: Ja plani amerikan për Shqipërinë dhe Kosovën
Avokati shqiptar, Spartak Ngjela, ka reaguar së fundmi në Facebook, ku komentoi zhvillimet gjeopolitike në shtetet e rajonit të Ballkanit dhe rolin e politikës amerikane në këtë drejtim.
Sipas tij, SHBA-të po ndjekin një strategji të re që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në hartën politike të Ballkanit.
Ngjela shprehet se është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë pritshmëria për një bashkim mes Bullgarisë dhe pjesës bullgare të Maqedonisë së Veriut, një lëvizje që do të pasohej, sipas tij, nga bashkimi i pjesës shqiptare të këtij shteti me Kosovën, transmeton “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Politika amerikane në Gadishullin Ilirik po kuptohet se po e pret bashkimin e Bullgarisë me pjesën bullgare të Maqedonisë së Veriut.
Sigurisht që kjo do të ishte një lëvizje e suksesshme gjeopolitike sepse, në funksion të aleancave me Amerikën, krijohen dy bashkime gjeopolitike: bashkimi i pjesët bullgare të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë; dhe bashkimi i pjesës shqiptare të Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Kjo politikë e re, në funksion të forcës amerikane në gadishullin tonë, krijon kompaktësinë e botës shqiptare në Gadishullin Ilirik si forcë e mirëfilltë në një aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkimi i pjesës shqiptare të Maqedonisë së Veriut me Kosovën e sjell Kosovën në një shtet të fortë, i cili sigurisht që do riforcojë ushtrinë e vet që sapo ka filluar ta forcojë; kurse duke i qëndruar të gjithë botës shqiptare në Gadishullin Ilirik; shqiptaria do të krijojë një vlerë të re në forcën e NATO-s dhe të vetë Amerikës si një politikë të re në Ballkanin Perëndimor.
Dhe këtu sigurisht që primatin e forcës do të fillojë ta ketë binomi Shqipëri-Kosovë.
Ka ardhur koha që Vlora të bëhet sërish porti me flotën ushtarake më të madhe në Mesdhe, sepse ajo ka qenë një herë e tillë gjatë viteve 50′ të shekullit që kaloi.
Dhe nuk duhet të harrojmë se, në një gjendje të tillë zhvillimi; do shohim që do të fillojë të kthehet edhe emigracioni i madh shqiptar që është në Perëndim.
Prisni dhe shikoni…