OPINIONTË FUNDIT

Rrëfimi i ministrit të Mbrojtjes: U ktheva nga Zvicra për t’iu bashkuar UÇK-së, stërviteshim fshehurazi në Laprakë si ekip futbolli

Ministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini, ka folur për kohën e luftës, kur ai i ishte bashkuar asaj si vullnetar nga Zvicra, ku jetonte gjatë viteve të ’90-ta.

Ai tregoi se sapo kishte shkuar në Zvicër kishte hyrë në kontakt me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

“Si 19-vjeçar iu pata bashkangjitë LKÇK-së, e cila pastaj ishte dakorduar me UÇK-në për t’i shkrirë kapacitetet e saj ushtarake brenda UÇK-së dhe me 18 mars të vitit 1998 jam kthyer nga Zvicra në Shqipëri për të kryer trajnimin ushtarak të asaj kohe”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për pjesën e stërvitjeve ushtarake që i kishte kryer në Shqipëri, para se të hynte në front në Kosovë.
Ka thënë se personat kyç në atë periudhë në Shqipëri, për përgatitjen dhe përcjelljen e grupeve për të hyrë në Kosovë, kanë qenë Adem Shehu, Bahri Gashi, Nazmi Zuka dhe disa të tjerë.

“Aty kam pasur mundësi të jem pikërisht në grupin të cilit i përkiste edhe Agim Ramadani, heroi i kombit… kemi qenë bashkë në një apartament, jemi stërvitur bashkë,” ka thënë ndër të tjera ai.

Ai ka thënë se qëndronin fshehurazi në Laprakë të Tiranës për shkak të sigurisë. Madje, sipas tij, ata ishin paraqitur si një ekip futbolli, pasi pjesën e stërvitjeve e bënin në një fushë në atë pjesë të Laprakës.
Ka shtuar se fshiheshin edhe për shkak të sigurisë së familjeve të tyre në Kosovë.

“Besoj që UDB-ja ka pasur gjithkund njerëz të cilët kanë qenë të caktuar për të përcjellë aktivitete, sidomos në kohën kur po flasim – fillimin e marsit, pas luftës së Jasharëve… Sigurisht që ne nuk e kishim sigurinë që edhe brenda Tiranës nuk ka njerëz të cilët mund të informonin në atë kohë shërbimin informativ serb,” ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *