OPINIONTË FUNDIT

Gjeneral major Muhamet Racaj: Ndërtimi i urave në Mitrovicë është hap drejt bashkimit, jo ndarjes

“Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, është një mesazh politik dhe simbolik për bashkëjetesë, integrim dhe rikthim të kohezionit qytetar në një qytet të ndarë padrejtësisht për më shumë se dy dekada”, kështu vlerëson Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj.

“Ky projekt është në funksion të lidhjes fizike dhe funksionale të Mitrovicës, dhe si i tillë, nuk guxon të trajtohet si çështje kontestuese ndërkombëtare”, thekson ai.

Sipas tij, thirrjet nga disa faktorë ndërkombëtarë për më shumë koordinim ndërmjet komuniteteve, madje dhe për përfshirje të Serbisë në proces, janë të kuptueshme për shkak të ndjeshmërisë historike të zonës, por të pajustifikueshme në një kontekst të një shteti të pavarur dhe sovran si Kosova.

“Çdo ndërhyrje në vendimmarrjen e brendshme, veçanërisht në projekte që ndihmojnë në lidhjen, e jo ndarjen e qytetarëve, është e papranueshme”, deklaron Racaj.

Ai nënvizon se Kosova i respekton të gjitha komunitetet dhe garanton përfshirjen e tyre në konsultime, sipas standardeve demokratike dhe në përputhje me Kushtetutën.

“Por asnjë komunitet nuk ka të drejtë të pengojë projekte zhvillimore, duke u fshehur pas pretekstit të destabilizimit apo tensioneve politike”, thekson ai.

Në këtë kontekst, urat, të cilat në shumë vende simbolizojnë bashkimin dhe ndërveprimin ndërkulturor, nuk duhet të shihen si kërcënim.

“Urat nuk janë objekte konflikti, por ura të qytetarisë, të komunikimit dhe të bashkëjetesës”, shton Racaj, duke apeluar për një qasje më konstruktive edhe nga faktori ndërkombëtar.

Ai u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të jenë aleatë të zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të forcimit të shtetit të së drejtës në Kosovë, duke mbështetur projekte që kontribuojnë në normalizim dhe integrim qytetar.

“Ndërtimi i urave në Mitrovicë është një hap drejt normalitetit. Ky hap duhet të mbështetet, jo të kushtëzohet politikisht”, përfundon Racaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *