“Ura e Ibrit nuk është beton, por kufi që…”, publicisti: Kosova mund ta ndryshojë rrëfimin, ja çfarë ndodhë nëse urat ndalohen
Në vjeshtë pritet të përfundojnë punimet e të dy urave, një për këmbësorë dhe tjetra për komunikacion në Mitrovicë.
Gurthemeli është vendosur në fillim të korrikut, ndërsa urat kanë për qëllim lidhjen e Mitrovicës së Veriut me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare.
Ndërtimi i këtyre urave ka krijuar debat dhe reagim ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut të ketë koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
Këtyre reagimeve, i është bashkuar edhe Lista Serbe, e cila madje të hënën ka organizuar edhe peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër.
Sipas kësaj partie serbe, deri të mërkurën janë mbledhur 3.628 nënshkrime
Ata kanë njoftuar se në ditët në vijim do ta dorëzojë peticionin te përfaqësuesit e vendeve të Quint-it, misionit të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe UNMIK-ut, duke kërkuar prej tyre një reagim “të menjëhershëm dhe të qartë”, ndërprerjen e ndërtimit të urave pa konsultim me popullin serb dhe respektimin e parimeve bazë demokratike dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Populli serb nuk është kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por është kundër vendimeve që merren pa të dhe kundër një politike që ka për synim zhdukjen e tij nga këto hapësira”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për raportet Kosovë- Serbi, Fadil Lepaja, konsideron se për politikën serbe ura kryesore e Mitrovicës nuk është thjesht çelik e beton, por është kufiri i pashpallur i Serbisë.
Sipas tij, Serbia ka keqpërdorur kujdesin e shteteve që e kanë njohur Kosovën, duke imponuar idenë se Serbia nuk largohet nga veriu pa luftë.
“Ibri nuk është ndonjë pengesë natyrore e pakapërcyeshme. Edhe civilët mund ta kalojnë këmbë, me këpucët në dorë. Ushtarët dhe policët e stërvitur e kalojnë edhe pa u lagur. Por mbi këtë lum, një urë e vetme ka mbartur për dekada barrën e ndarjes, tensionit dhe simbolikës politike të një qyteti të ndarë në dysh.
Për politikën serbe, ura kryesore e Mitrovicës nuk është thjesht çelik e beton, është kufiri i pashpallur i Serbisë. Edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë pranuar një zgjatim të butë të sovranitetit në veri, duke shmangur përplasjen me Beogradin. Serbia ka keqpërdorur këtë kujdes për paqen, duke imponuar idenë se “Serbia nuk largohet nga veriu pa luftë”. Kështu, ajo mbajti në këmbë një sistem paralel institucional, që pranoi të zëvendësohej vetëm me “komunat serbe”, për të kulmuar me idenë e një “asociacioni” me ambicie shtetësie. Ndërkohë, Kushtetuta e Serbisë ende e përfshin Kosovën si pjesë të saj integrale”, deklaron Lepaja.
ImageFadil LepajaFoto galeri
Sipas tij, ura mbi Ibër është imponuar si kufi faktik shqiptaro-serb.
“Në këtë kontekst, projektet e tipit “Ballkani i Hapur” dhe idetë për lëvizje të lirë pa njohje reciproke të Kosovës nuk ishin gjë tjetër veçse tentativë për të bërë fakt të kryer një gjendje ku Serbia mban institucionet në veri, ndërsa Kosova mbetet një lloj autonomie e padukshme për botën dhe e pa shqetësuese për ata që nuk duan ta shohin. Vetëm lufta në Ukrainë dhe njëfarë këndelleje (sado të ngadaltë) nga BE, e shkatërruan këtë projekt cinik që anashkalonte ekzistencën e Kosovës si shtet. Për Serbinë, kufiri me Shqipërinë është Morina. Për Shqipërinë, kufiri me Serbinë as që përmendet. Ndërkohë, Ura mbi Ibër është imponuar si kufi faktik shqiptaro-serb, me një konsensus ndërkombëtar të heshtur që kjo urë nuk mund të menaxhohet nga shqiptarët”, shprehet publicisti.
Kjo iniciativë synon të krijojë një baraspeshë të re, që pason doktrinën e reciprocitetit: këtë herë, jo vetëm për dokumentet dhe masat, por edhe për komunitetet, thotë Lepaja, gjersa shton se Kosova ka mundësi për ta ndryshuar rrëfimin.
“Edhe pse ky projekti i dy urave është parë fillimisht si një plan propagandistik, në fakt ai shënon një ndryshim të qartë strategjik. Në pamje të parë nuk shkelet asnjë marrëveshje ndërkombëtare, por në thelb sfidohet simbolika e urës ekzistuese, duke e anashkaluar atë. Kjo iniciativë synon të krijojë një baraspeshë të re, që pason doktrinën e reciprocitetit: këtë herë, jo vetëm për dokumentet dhe masat, por edhe për komunitetet. Në këtë frymë, mund të përfshihen edhe komunat shqiptare në Serbi si pjesë e një pakete për zgjidhje të qëndrueshme ndëretnike dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërtimi i dy urave të reja, edhe pse projekt modest, për nga ideja ngjan me “Kanalin e Stambollit”, që Turqia e propozoi si alternativë ndaj ngushticës së Bosforit, për të shmangur kufizimet që burojnë nga traktatet ndërkombëtare pa i shkelur formalisht ato. Për Kosovën, kjo është një mundësi për të ndryshuar rrëfimin. Sepse në Mitrovicë, ura nuk ka qenë kurrë thjesht një strukturë, ka qenë simbol”, thekson Lepaja.
Nëse urat funksionalizohen, sipas Lepajës, mund të zhbëjnë de facto ndarjen brenda Kosovës.
Ai shton se nëse BE përpiqet ta ndalojë këtë projeKt atëherë në Urën e Ibrit nuk mbrohet paqja, por po ruhet një kufi imagjinar që mban peng Ballkanin.
“Ndërtimi i dy urave të reja nuk është thjesht ndërtesë betoni. Është një narrativë e re. Çdo pikë ndarjeje mund të bëhet një pikë bashkimi. Nëse këto ura funksionalizohen, ato mund të zhbëjnë de facto ndarjen brenda Kosovës, duke i detyruar serbët lokalë të zgjedhin: integrim ose izolim. Dhe bashkë me ta, do të përballet edhe Beogradi: me Evropën apo me Rusinë?
Në sfond, një lëvizje qytetare e studentore në Serbi po shton presionin ndaj regjimit Vuçiç. Nëse BE përpiqet ta ndalë këtë projekt, atëherë do të jetë e qartë: në Urën e Ibrit nuk po mbrohet paqja, por po ruhet një kufi imagjinar që mban peng Ballkanin”, përfundon publicisti.