Eksperti i sigurisë: Stop linçimit publik të Policisë së Kosovës!
Reagimet e fundit publike ndaj Policisë së Kosovës, të bazuara në disa video të shpërndara pa hetime të plota apo raport autopsie, përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend, thotë eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Në vend që të goditet Policia, përgjegjësia duhet të kërkohet tek ata që kanë lejuar zbehjen e standardeve në procesin edukativ dhe profesional.
Reagimi i plotë:
Gjykimi publik i Policisë së Kosovës – STOP !
Gjykimi publik i Policisë së Kosovës vetëm mbi bazën e disa videove të transmetuara pa një raport zyrtar autopsie apo hetim të plotë, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një institucioni që ka qenë shtyllë e sigurisë dhe rendit në vend.
Një qeveri që trashëgon një polici të avancuar dhe të përgatitur nuk mund ta shfrytëzojë këtë për të ulur standardet, duke prodhuar gjenerata të reja me vetëm disa muaj trajnim – kjo është e papranueshme dhe rrezikon profesionalizmin e institucionit.
Në vend që të goditet autoriteti i Policisë, duhet të ngritet me tutje përgjegjësi nga ata që kanë lejuar zbehjen e cilësisë në përgatitje si proces edukative.
Policia nuk guxon të shndërrohet në target të padrejtë politik apo publik; përkundrazi, ajo duhet të mbrohet dhe forcohet, sepse një shtet i fortë ndërtohet mbi institucione të besueshme dhe të pathyeshme siç është Policia e Kosovës.