OPINIONPOLITIKATË FUNDIT

Arrestimi i Naim Bazajt, pse nuk reaguan ish- partitë e tij? Kërkohet hetim edhe për…

Të premten në një aksion të drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të Naim Bazaj, rreth 54-vjeçar, i dyshuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Detyrim”, “Prezantim i rremë si person zyrtar” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Sipas raportimeve në media, ndaj të dyshuarit ishin zhvilluar hetime intensive për disa javë, të cilat kulmuan më 04 korrik 2025, kur me asistimin e njësive të specializuara, ai u arrestua në flagrancë gjatë zhvillimit të veprës penale.

Gjatë kontrollit të banesës dhe objekteve përcjellëse, Policia ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni, përfshirë: një armë e gjatë me dylbi, një tyte dhe 200 fishekë kalibër .22 Remington, 1 armë automatike me 15 fishekë dhe një karikator, 1 pushkë gjahu me dy tyta dhe 46 fishekë, 1 armë ajrore 4.5 mm (Made in Germany), 1 pistoletë Sig Sauer me një karikator dhe 29 fishekë, 1 pistoletë AG-9 me dy karikatorë dhe pajisje përcjellëse, 1 iPhone 14 Pro Max dhe 1 kontratë dhe dokumentacion i armës në emër të Fitim Bazaj.

“Bazaj ka nxitur kundërshtarët”

Pak ditë para arrestimit, Bazaj kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit, ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Naim Miftari, thotë se kjo çështje është e porositur nga politikanët.

Sipas tij, ai i ka nxitur kundërshtarët e tij politikë që ta arrestojnë.

“Arrestimi i Naim Bazës, sipas mendimit tim, është kryekëput i porositur nga politikanë, të cilët dikur kanë qenë kolegë dhe bashkëpartiakë të të arrestuarit. I përmenduri më herët kishte pasur probleme me armëmbajtje pa leje – madje i ishin konfiskuar edhe armë ushtarake, përfshirë edhe kalibër 75mm. Pra, nuk është se tani ka ndonjë çështje të re, por ai vetë i ka nxitur kundërshtarët e tij politikë që ta arrestojnë. Dihet mirë se policinë dhe prokurorinë ende i kontrollojnë në masë të madhe klanet e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së”, shprehet Miftari.

Sipas tij, veprat ndaj Bazajt janë forma dënimi ose paralajmërime për rata që guxojnë të kundërshtojnë shefat e tyre.

“Veprat që i atribuohen N. Bazajt nuk janë të këtyre ditëve, por janë dyshime të vjetra të grumbulluara ndër vite, të cilat prokuroria dhe policia politike i aktivizojnë vetëm kur u konvenon, sidomos kundër anëtarëve të vet që dalin jashtë kontrollit të sistemit parapolitik – sistem që edhe sot e udhëheqin strukturat e ish-partive të pushtetit të pasluftës. Këto janë forma dënimi ose paralajmërime për ata që guxojnë të kundërshtojnë shefat e tyre – disa prej të cilëve sot ndodhen në burgun e Hagës.

Prandaj, unë nuk pres asgjë spektakolare nga drejtësia dhe as nga policia, e cila në fakt është ende një kukull politike në duart e ish-pushtetarëve dhe multimilionerëve të korrupsionit”, deklaron Miftari.

Në anën tjetër, familja e Bazajt, pretendojnë se ai nuk është i përfshirë në veprime të jashtëligjshme si posedim armësh apo mjete të ndaluara.

“Me keqardhje të thellë kemi pranuar lajmet për arrestimin e z. Naim Bazaj, një figurë e njohur dhe e respektuar në komunitetin tonë, i cili për vite me radhë ka qenë komandant i çmuar në luftën tonë të fundit dhe kontribuues i palodhshëm për lirinë dhe dinjitetin e kombit.

Akuzat e përhapura në disa media dhe rrjete sociale, të cilat sugjerojnë përfshirje në veprime të jashtëligjshme si posedim armësh apo mjete të ndaluara, janë tërësisht të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Këto lajme nuk kanë asnjë bazë reale dhe synojnë vetëm të dëmtojnë figurën publike e kombëtare të z. Bazaj dhe të njollosin historinë e tij të pasur me vepra atdhetarie”, thanë ata.

Tutje, sipas tyre Bazaj është i pafajshëm dhe do të bashkëpunojë me institucionet për të dëshmuar qartë të ‘vërtetën’.

“Ne, familja Bazaj, deklarojmë me vendosmëri se: Z. Naim Bazaj është i pafajshëm. Ai ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë me institucionet për të dëshmuar qartë të vërtetën. Ne i besojmë drejtësisë dhe kërkojmë që procesi të jetë transparent dhe i paanshëm”, kanë shtuar ata.

Kontroll i figurave publike

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se në këtë fazë duhet respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë dhe duhet lënë organet kompetente të kryejnë hetimet.

“Ngjarja e ditës së premte, që përfshin arrestimin e kandidatit për kryetar të Komunës së Drenasit, z. Naim Bazaj, ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik. Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, z. Bazaj dyshohet për veprat penale “detyrim” dhe “prezantim të rremë”, ndërsa gjatë kontrollit ndaj tij janë sekuestruar shtatë armë zjarri, municion, një telefon dhe një kontratë.

Në këtë fazë, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke i lënë organet kompetente të kryejnë hetimet në përputhje me ligjin, është e rëndësishme të theksohet nevoja për rritjen e standardeve të sigurisë dhe transparencës në proceset zgjedhore dhe institucionale”, shprehet Shala.

Tutje, ai shton se ky rast shton domosdoshmërinë për mekanizma më të avancuar të kontrollit të figurave publike.

Sipas tij, është e rëndësishme që subjektet politike dhe institucionet përkatëse të angazhohen për verifikim.

“Ky rast nxit diskutim të nevojshëm mbi domosdoshmërinë për mekanizma më të avancuar të kontrollit të figurave publike, veçanërisht në raport me integritetin personal, posedimin e armëve dhe çdo element që mund të perceptohet si kërcënim për rendin demokratik dhe sigurinë publike.

Në funksion të interesit publik dhe besimit të qytetarëve në institucionet demokratike, është e rëndësishme që të gjitha subjektet politike dhe institucionet përkatëse të angazhohen për verifikim dhe transparencë të shtuar, duke shmangur politizimin e rasteve të ndjeshme dhe duke lejuar që drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, përfundon Shala.

Ndryshe, Bazaj dikur ishte anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga e cila ishte përjashtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *