POLITIKATË FUNDIT

Mehmeti tregon se ku ka zanafillën përplasja Lushtaku–Lladrovci

Një përplasje dhe shkëmbim akuzash të ashpra së fundi ka shpërthyer në mes të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku – të dy këta anëtarë të PDK-së.

Siç ka deklaruar Lladrovci, Lushtaku e ka sulmuar në mënyrë të paparë në vitin 2021 gjatë fushatës elektorale.

Sipas tij, Lushtaku ka ambicie të fshehta për të qeverisur komunën e Drenasit, edhe pse aktualisht është nënkryetar i Skenderajt.

Kurse Lushtaku, duke iu përgjigjur Lladrovcit, ka thënë se nuk dëshiron të merret me “njerëz me probleme psikike”, duke nënkuptuar se Lladrovci është emocionalisht i paqëndrueshëm.

E analisti Faton Mehmeti tregon se ku e ka zanafillën përplasja mes dy figurave të PDK-së në Drenicë.

“Dihet se Sami Lushtaku ka qenë shef i komunave në Drenicë, është mësuar me forcën e ‘gjoksit’ me ba çfarë të do. Dhe duket se tensionet mes Samiut dhe Ramizit kanë zanafillën qysh kur z. Lladrovci doli në krah të Bekim Jasharit kundër Sami Lushtakut”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, Sami Lushtaku është e keqja e PDK-së dhe qytetarëve të Drenicës.

“Dhe po vazhdojnë ende tani duke u kapur pas gjëra të tjera, por që burimin e kanë tek aty. Në këtë mes duket se Ramiz Lladrovci është më i sinqertë dhe më i ndershëm, derisa Samiu dihet se është mësuar të bëjë çfarë të do në Skenderaj e Drenas, duke ndërtuar ku ka dashur dhe çfarë ka dashur. Faktikisht, Samiu është e keqja e PDK-së dhe qytetarëve të Drenicës, të cilët duhet ta mbështesin z. Lladrovci në betejën mes këtyre dyve”, deklaron Mehmeti.

“Por, duke qenë se Samiu ka peshë të madhe në qendër në PDK, ka shumë mundësi që t’i bëjnë gropën Ramizit duke mos e kandiduar për kryetar të Drenasit”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *