OPINIONTË FUNDIT

Frika për gjenocidin e zhvilluar në Kosovë e lë pa gjumë Beogradin!

Gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit janë krimi më i madh i kohëve moderne pas Luftës së Dytë Botërore. Në fakt u desh që Hitleri të shkaktonte tragjedinë e Holokaustit dhe prej kësaj bota të zgjohej e të klasifikonte gjenocidin si aktin më të shëmtuar kriminal të kohëve tona. Fjala Genozid formohet prej fjalës greke genos (prejardhje e një populli) dhe latinishtes, caedere, (therje, gjakosje, vrasje). Për herë të parë nocionin “Genocid” e përdori në vitin 1943 avokati polak, Raphael Remkin, gjatë hartimit të një projektligji që parashikonte ndëshkimin dhe dënimin e krimeve të nacionalsocialistëve kundër hebrenjve.

Sot krimet kundër njerëzimit ose gjenocidi është një vepër penale e dënueshme sipas ligjit ndërkombëtar, por edhe sipas ligjeve që vendet anëtare të OKB-së kanë miratuar për këtë vepër. Detyrimi për ta shndërruar gjenocidin në vepër penale të dënueshme vjen nga Konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e 9 dhjetorit 1948, e cila hyri në fuqi më 12 janar 1951, mbasi u ratifikua nga vendet anëtare të OKB-së, përfshirë dhe Jugosllavinë, përkatësisht Serbinë. Kjo konventë detyron shtetet dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë që të hetojë dhe ndëshkojë me heqje lirie të gjithë personat që akuzohen, si dhe kanë kryer krime kundër njerëzimit, pra gjenocid.

Në Konventën e 9 dhjetorit 1948 thuhet shprehimisht se si gjenocid përshkruhen krimet që kanë të bëjnë me asgjësimin e grupeve njerëzore për shkaqe etnike, për shkak të racës, të besimit fetar ose arsye politike dhe ideologjike. Në këtë rast si akte gjenocidi përcaktohen asgjësimet fizike, dëbimet me forcë ose në forma të tjera detyruese, përdorimi i dhunës me qëllim që grupet etnike, racore e fetare të ndryshme të ndjehen të kërcënuar e të përndjekur, peng marrja, sidomos e fëmijëve, përpjekjet për të penguar shtimin e popullsisë së një etnie, religjioni ose race të caktuar, segregacioni, etj. Për t’i dëshmuar këto akte dhune, terrori e kërcënimi me asgjësim fizik, duhen natyrisht prova e fakte për persona dhe institucione përgjegjëse.

Si genocid është përshkruar deri tani ajo që ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë, sidomos në Srebrenicë. Por në këtë rast Serbia ia arriti që përgjegjësinë ta delegojë te individët. Pra, Gjykata e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi ka dënuar disa individë, pa përcaktuar fajësinë e shtetit serb për genocidin e Srebrenicës. Megjithatë OKB e ka caktuar datën e kësaj masakre si ditë përkujtimore e luftës kundër krimeve të tilla.

Tani le të vijmë te Kosova. Është shumë e qartë se Serbia reziston për njohjen e shtetit të Kosovës për shkak të genocidit që ajo ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë. Nëse rasti i Kosovës i shkon drejtësisë, atëherë nuk ka gjykatë dhe gjykatës që të mos pranojë se shteti, kisha dhe akademia serbe e shkencave kanë kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë. Përveç individëve, në rastin e Kosovës do të vihej gishti si përgjegjës për vrasjet e shqiptarëve, dëbimin e tyre, djegiet e shkatërrimet, zhdukjen e kufomave etj te shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, te ish-kreu i shtetit serb, Sllobodan Milosheviç, te ministrat e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, te sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë, te memorandumi i Vaso Çubrilloviçit dhe ai i Akademisë së Shkencave të vitit 1986.

Në rast të hetimit të krimeve kundër njerëzimit që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë, Gjykata Ndërkombëtare Penale do të hynte në arkivat e Beogradit dhe prej këtu do të zbulonte planin e Shtabit të Përgjithshëm për dëbimin dhe asgjësimin e shqiptarëve në dimrin dhe pranverën e vitit 1999. Do të zbulonte plot dokumente, urdhra dhe projekte, në të cilat dëshmohet angazhimi i shtetit të Serbisë në këtë genocid. Pjesë e këtij genocidi do të ishte gjithashtu helmimi i nxënësve të shkollave, vrasja e ushtarëve shqiptarë në ish- ushtrinë jugosllave e madje edhe vrasja e tetë të rinjve të komunitetit serb në vitin 1998 në një lokal në afërsi të Pejës. Dokumentet dhe provat e gonocidit serb në Kosovë janë aq shumë, sa nuk mund të zhduken të gjitha. Edhe sikur 1 përqind e tyre të mbërrijnë në Gjykatë, në këtë rast do të vihej në bankën e të akuzuarve shteti serb dhe vetë Serbia. Vrasja e gati 15 mijë shqiptarëve, vrasja e 1402 fëmijëve deri të moshës disa muajshe, transporti i kufomave të rreth 3600 shqiptarëve të masakruar dhe fshehja e tyre deri në Danub, djegjet dhe shkatërrimet, dëbimi e një milion shqiptarëve, të gjitha këto kanë patur një urdhërdhënës, një projekt, një plan, një skenar, një regji dhe një ekip producentësh gjakatarë me seli në presidencën qeverinë, ushtrinë, policinë, kishën dhe akademinë e Serbisë.

Pikërisht këtë barrë turpi kombëtar synon ta heq qafe rezistenca e Beogradit për të mos e njohur shtetin e Kosovës. Nëse ajo e njeh Kosovën si të pavarur dhe nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së, atëherë asaj i lind e drejta të dërgojë padinë e saj penale kundër Serbisë me akuzën se shteti serb ka kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë. Dhe për këtë qëllim, liderët serbë jo vetëm rezistojnë të mos e njohin Kosovën, por u përpoqën me akuzat e Dick Marty-t dhe ngritjen e Gjykatës Speciale të bëjnë një lloj ekuivalence midis krimeve kundër njerëzimit të tyre ndaj shqiptarëve dhe disa vrasjeve sporadike në hakmarrje individuale e sipër të disa dhjetëra serbëve në Kosovë në përfundim të luftës.

Ky fakt është mirë të përdoret nga autoritetet e Kosovës në takimet me personalitetet ndërkombëtare, me qëllim që të përhapet narrativa e fajësisë së padiskutueshme të Serbisë në sjelljen e saj kundër shqiptarëve në Kosovë. Gjithashtu edhe për t’ua sqaruar se këto janë motivet kryesore të Beogradit në përpjekjet e tij për destabilizimin e Kosovës. Frika nga ndëshkimi për gjenocid në Kosovë, Beogradin e le pa gjumë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *