Dokumente dhe shkrime të reja nga laptopi i Bllacës: Çka shkruante agjenti i BIA-s për strukturën e UÇK-së?
Në Debat Plus, janë publikuar dokumente dhe dëshmi të nxjerra nga laptopi i Nazim Bllacës, dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it dhe një person që ka pasur lidhje edhe me strukturat serbe të sigurisë.
Dokumentet përmbajnë informacione për strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998, operacione konkrete ushtarake, dhe dëshmi për ngjarje që përfshijnë kidnapime dhe vrasje të supozuara.
Në dy dokumente të datës 11 qershor dhe 12 nëntor 1998, paraqitet struktura drejtuese e UÇK-së. Emra të njohur si Azem Syla, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Lahi Brahimaj, Xhavit Haliti, Adem Grabovci dhe Fatmir Limaj janë listuar me pozitat përkatëse në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Azem Syla -komandant i përgjithshem i UÇK-së pas epopes së Jasharajve
Sokol Bashota –zëvendëskomandant
Rexhep Selimi – Inspektor gjeneral
Hashim Thaqi – kryeshef për drejtorin e informimit
…
Kadri Veseli
kryeshef për Drejtorin e Shërbimit Informativ
Jakup Krasniqi
Kryeshef për drejtorin e pushtetit civil dhe zëdhens i SHP të UÇKse
Lahi Ibrahimi
Kryeshef për drejtori Ekonomi Financa
Xhavit Haliti
Kryeshef për drejtorin e logjistike dhe furnizim”, shkruante Bllaca.
Këto dokumente ishin të ruajtura në një email personal të Bllacës dhe bazohen pjesërisht në librin “Kthesa e Madhe” të Jakup Krasniqit.
Një tjetër dokument i rëndësishëm që u shfaq në emision përmban një skicë të një operacioni të zhvilluar më 9 tetor 1998 në rrugën Godanc–Shtime. Ai përmend me emër pjesëmarrësit në këtë aksion, shumica e të cilëve ishin pjesëtarë të Policisë Ushtarake të UÇK-së.
Në dokumentet e përfshira ka edhe një linjë komanduese që përfshin Fatmir Limajn si komandant zone, Haxhi Shalën si komandant brigade, si dhe emra të tjerë si Ramiz Qiriqi dhe Elez Durmishi.