OPINIONTË FUNDIT

“Urat bashkojnë njerëzit!” – Mustafa mbështet fuqishëm ndërtimin e dy urave në Mitrovicë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut. Njëra urë do të jetë për këmbësorë dhe tjetra për automjete.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, projekti – me vlerë rreth 3 milionë euro – synon të lehtësojë qarkullimin dhe të nxisë bashkëpunimin mes qytetarëve në të dy anët e lumit, duke kontribuar në lëvizjen e lirë dhe integrimin më të mirë lokal.

Megjithatë, reagimet në terren janë të përziera. Ndërsa një pjesë e qytetarëve e mirëpresin nismën si hap pozitiv drejt normalizimit dhe afrimit ndëretnik, të tjerë shprehen skeptikë, duke e konsideruar ndërtimin e urave të panevojshëm në rrethanat aktuale.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk është i përfshirë në këtë projekt dhe nuk ka qenë i njoftuar paraprakisht për të, duke kërkuar që vendimet e tilla të merren në mënyrë gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të prekura.

Publicisti shqiptar, Xhevat Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ndërtimi i urave të reja synon të forcojë bashkëpunimin mes komunave dhe lëvizjen e lirë.

“Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të dy komunave të Mitrovicës dhe me ministra të kabinetit qeveritar, kanë vendosur më 1 korrik 2025 gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale. Ndërsa sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar: “Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë(REL) se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të dhe se çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet, që preken nga kjo çështje”, thotë ai.

Mustafa thekson se urat gjithmonë kanë bashkuar njerëzit dhe kanë shërbyer për lëvizje të lirë e bashkëpunim mes komuniteteve. Ai e konsideron të drejtë dhe legjitim vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, duke besuar se ato do të sjellin përfitime afatgjata për Mitrovicën, Veriun e Kosovës dhe më gjerë.

Ai kritikon reagimet negative nga Beogradi dhe disa figura në BE, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Ai ngre dyshime mbi qëndrimet e Brukselit, duke sugjeruar se disa prej tyre janë më të kujdesshëm ndaj Serbisë sesa ndaj Kosovës, duke frenuar ndryshimet pozitive në veri të vendit. Ai përfundon se Kosova ka të drejtë të ndërmarrë projekte të tilla, si shtet sovran dhe në përputhje edhe me Planin e Ahtisaarit.

“Është aksiomë e moçme e referuar tek jo edhe unë kam bindjen se URAT, pavarësisht gjatësisë dhe faturave financiare e aspektit pamor e estetik, afrojnë dhe bashkojnë komunitete njerëzore e nuk i ndajnë ata! Apo, edhe më konkretisht, ato kanë qenë e janë në dobi të banorëve dhe popujve në të dy anët e tyre! Natyrisht, nëpërmjet lëvizjes së lirë, paqësore dhe në respekt të ndërsjellët! Edhe të kontrolluara në çdo kohë për normalitetin e lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe mallrave e respektimin e ligjeve dhe të rregullave! Vendimi për ndërtimin e këtyre dy urave dhe fillimi i punimeve pak ditë më parë është një e drejtë e ligjshme e qeverisë dhe e shtetit të Kosovës. Qysh si ide e shumë më tepër kur të përfundojnë dhe të nisin qarkullimin do të kuptohet shumë më tepër se këto ura të reja do të jenë ndjeshëm dhe shumë gjatë në kohë në dobi të shumanshme jo vetëm për banorët e dy komunave të Mitrovicës, por edhe për mbarë Veriun e Kosovës! Nënkuptohet edhe për gjithë Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë…! Është bërë e qartë dhe shprehur edhe publikisht se fillimi i punimeve për këto dy ura nuk është pritur me mirëkuptim dhe kënaqësi, së pari në Beogradin qeveritar e shtetëror e nga disa prej drejtuesve kryesorë të BE-së. Shqetësimi i Beogradit është i lehtëkuptueshëm e nuk ka fare nevojë as për përkthyes nga serbo-kroatishtja në shqip.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i tij Gjuro Macut nuk kanë qenë e nuk janë as për hapjen e Urës së Madhe e të hershme mbi Lumin e Ibrit, problematike për nga konfliktet e provokuar nga serbët vendas me urdhëra dhe mbështetje shumëformëshe nga Beogradi. Prandaj, nuk mund të pritet prej tyre që ta duartrokasin fillimin e punimeve në dy ura të tjera! Për më tepër, kur janë të ideuara dhe financuara kryesisht nga qeveria e Kosovës! Ndërsa mungesa e miratimit dhe e mbështetjes nga disa figura qendrore në Bruksel, pas çudisë, nxit edhe disa dyshime e pyetje. Përse shqetësohen këta apo këto politikanë të BE-së nga këto dy ura, me perspektivë pozitive apo dobiprurëse, sidomos për shqiptarët dhe serbët e për Kosovën dhe Serbinë. Përgjigja e parë mund të nxirret nga shqetësimi se mos këto dy ura, duke mos u pranuar nga Vuçiç e Macut e duke i zemëruar ata, bëhen “dy molla sherri” të reja për rifillimin sa më normal, konkret e të suksesshëm të procesit odisajan të bisedimeve midis qeverive të dy vendeve, pra të Kosovës dhe të Serbisë. Përveç kësaj arsyeje të kotë apo të paarsyeshme, mund të mendohet se kundërshtarët brukselas të dy urave të reja mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, mendojnë më shumë për ta joshur e afruar se sa për t’i bërë presione qeverisë dhe presidencës serbe apo politikanëve dhe pushtetarëve të komunitetit serb në Kosovë , edhe kur i meritojnë shumë më tepër se sa qeveria e Albin Kurtit. Apo, se disa aktorë kryesorë brukselas nuk dëshirojnë ndryshimin e statusquosë politike, administrative, sociale, ndëretnike….sidomos në Mitrovicë e në Veriun e Kosovës. Ky qëndrim përulës apo servil ndaj Serbisë dhe “kukullave” të saj në Veriun e Kosovës, i disave drejtuesve politikë dhe administrativë të BE-së, nuk është as i ri, as i pakuptueshëm e as për t’u çuditur. Në të kundërt jep arsye të forta për t’u bërë disa pyetje: e përse duhen pyetur për gjithçka ata për çdo ide, vendim, projekt, vepër…të qeverisë së Kosovës, mbështetur në burimet e saj financiare, njerëzore, materiale? A është Kosova shtet i pavarur e sovran dhe me integritet territorial në të gjithë hartën e saj të cunguar edhe pas 12 qershorit 1999? Për më tepër, a është ky vendim i logjikshëm i qeverisë së sotme të Kosovës edhe brenda Planit Ahtisaari, nga i cili Serbia ka përfituar shumë më tepër se sa meritonte, aq sa i bëjnë krejt të tepërta kërkesat e saj nëpërmjet asociacionit të komunave me shumicë serbe? Përse duhet të mos e mirëpresin ndërtimin e këtyre dy urave të reja serbët në Veriun e Mitrovicës e të gjithë Kosovës? Për më tepër, kur nga këto dy ura nuk do t’u vijë asnjë e keqe dhe vetëm të mira e dobi shumëformëshe e jetëgjata…? “, shpjegon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *