OPINIONTË FUNDIT

Turizmi dhe patriotizmi: një reflektim personal

Shpesh quhet “turizëm patriotik”, por unë nuk besoj në ekzistencën e tij. Pse?

Për të kaluar pushimet verore në një vend, fillimisht vlerësoj nëse mund të përballoj financiarisht qëndrimin. Së dyti, gjykoj nëse çmimi që paguaj arsyetohet nga cilësia e shërbimeve: mikpritja, akomodimi, kuzhina dhe pastërtia.

Nëse çmimi nuk është i përshtatshëm, nuk mund të përligjet me një “patriotizëm”. Po ashtu, nëse shërbimi nuk përputhet me vlerën e pagesës, nuk ndiej asnjë obligim për një patriotizëm të rremë.

Patrioti dhuron pa pritur shpërblim, ndërsa turisti kërkon komoditet dhe mikpritje në këmbim të parave të tij. Turisti dëshiron të çlodhet dhe të përjetojë përkujdesje.

Përparësitë e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme për çdo shqiptar, kudo që jeton: mikpritja e ngrohtë, kuzhina e mrekullueshme dhe zemërgjerësia shqiptare.

Shqipëria sot gëzon një imazh më pozitiv se kurrë më parë. Nuk vijmë në Shqipëri për të treguar patriotizëm, por sepse bukuritë dhe përparësitë e saj janë magjepsëse dhe na bëjnë të ndihemi edhe më krenarë për arritjet e saj. Gjuha, mikpritja dhe kultura na bëjnë të ndihemi të mirëseardhur.

Prandaj, mos prit falënderim pse shkove, por gëzohu për përjetimet, gëzohu për përparimin dhe falëndero, e madje, kur të kthehesh, tregoju edhe kolegëve dhe miqve të tu.

Nga këndellja përfitoj unë; nga turizmi ynë në Shqipëri përfiton vendi dhe kombi, brenda dhe jashtë kufijve. Edhe fëmijët tanë do të kenë arsye të ndihen krenarë.

Epilog: Akt patriotik ishte kur Shqipëria strehoi qindra mijëra shqiptarë gjatë luftës në Kosovë; jo ardhja jonë për pushime.

Ardhja jonë sot është thjesht një shprehje mirënjohjeje dhe njohjeje reciproke, pas një ndarjeje gati një shekullore…

Shko në Shqipëri,
përjeto mikpritjen e saj dhe gëzohu që ke një vend që të bën të ndihesh në shtëpi!

Këtë ndjenjë nuk na e ofron asnjë bregdet tjetër në botë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *