POLITIKATË FUNDIT

Kosova në udhëkryq për shkak të inateve personale politike!

Ne shqiptarët jetojmë në Ballkan. Jemi në origjinë dhe në traditë europianë, por nuk jemi europianë në mentalitetin tonë. Shkaku themelor i kësaj gjendjeje është inati, egoja, xhelozia. Në Shqipëri këto karakteristika u përtheksuan për shkak të diktaturës komuniste. Komunizmi ushqeu ndjenjën e fshehtë për lavdi, por jo rrallë edhe të hapur, për ushtrim force, për superioritet, forcë dhe pushtet. Arroganca, mendjemadhësia, të qenit harbut ishin karakteristikat themelore që ushqente periudha e diktaturës. Ylli Manjani thoshte se “Kur isha ministër i qeverisë Rama dhe shkoja mirë me kryeministrin, e pata pyetur se si do të bëhet me veriun e Shqipërisë?” Përgjigja e Ramës ishte befasuese: “Do u vendos nga një të fortë mbi kokë e do t’u jap pak para, që të mos reagojnë”!

Sindroma e sundimit me të “fortë”, me kriminelë ose njerëz që imponohen në çfarëdo mënyre është trashëgimia e sigurimit të shtetit të kohës totalitare, të cilin shqiptarët e shihnin si mjet dhune dhe terrori mbi ta. Dhe në këtë mjedis nuk ka sesi të mos ndillet urrejtja, inati, hakmarrja, konflikti dhe lufta e paprinciptë politike. Fatkeqësisht sindroma e “të fortit” në Shqipëri u eksportua edhe në Kosovë kryesisht nga e majta në pushtet e Tiranës. Në Shqipëri, ata që duan të zgjidhen deputetësidomos të Partisë Socialiste, vendosin vetë. Edhe pse Edi Rama duket se merr vendime për gjithçka, në fakt ai u bindet plotësisht organizatave kriminale për të kandiduar deputetë, ose për të emruar ministra, si ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Po në Kosovë? I njëjti model është aplikuar veçmas të Partia Demokratike e Kosovës. Në këtë parti vendosin krerët lokalë të saj. Kryetari i Partisë është formal. Shefat e fortë lokalë vendosin të bëhen deputetë apo kryetarë komune. Thaçi i mbante në ekuilibër dhe me këtë shfaqej si imponues ndaj tyre. Ndërsa Krasniqi sot e kushdo të ishte në vend të tij, janë të detyruar të heshtin para diktatit të krerëve lokalë. Pse ndodhi kjo? Modeli u mor dhe u rekomandua nga Partia Socialiste e Shqipërisë që në periudhën e fundit të viteve 1990. Por ky model u aplikua gjithashtu në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur në Hagë thonë se komandat e kësaj lufte ishin horizontale e deri diku vepronin të pavarura nga ndonjë komandë qendrore, ata kanë të drejtë. Nuk kanë të drejtë të mburren, por jo kur thonë se “nuk i ka pyetur askush”! Ky fakt është thënë edhe nga studiues të spikatur të perendimit.

Pse UÇK kishte strukturë komandimi horizontale, ndryshe nga ushtritë e tjera kudo në botë? Sepse askush nuk duronte të kishte një komandant lufte mbi veten. Dhe komandantët horizontalë u shndërruan në politikanë të fuqishëm lokalë. Ky lloj decentralizimi unikal dhe i pa arsyeshëm u trashëgua edhe pas luftës. Fraksionet dhe grupet në PDK krijuan atë që quhet zona e sundimit të tyre politik, me qëllim që të bëhen të paprekshëm për shtetin dhe ligjet e tij. Këto fraksione deleguan njerëzit e tyre në të gjitha hallkat e administratës publike. Madje edhe në gjyqësor. Dhe këta njerëz që gjenden kudo e mbrojnë padronin me arrogancë. Njësoj siç ndodh me grupet kriminale në Shqipëri, të cilat mbrojnë përfaqësuesit e tyre në parlament, në bashki e administratën publike, si dhe në gjyqësor me çdo ksuht dhe me çdo mjet.

Në Shqipëri, por edhe në Kosovë është krijuar një korracë e padepërtueshme. Ndaj dhe kemi një përplasje kaq të egër. Nëse dikush ka dështuar në qeverisjen e tij të kohës, ai bën gjithçka të jetë e mundur që pasardhësi i tij të dështojë në politikat e zhvillimit të vendit. Kjo është arsyeja pse tri partitë opozitare nuk bien dakord të konstituojnë parlamentin dhe të krijojnë institucionet e tjera të shtetit pas zgjedhjeve. Duan “dështimin” e rivalit të tyre. Pavarësisht kostos që paguan Kosova. Në këtë rast m’u kujtua një fakt: – Në vjeshtën e vitit 2013, pak javë pas krijimit të qeverisë Rama 1, ky i fundit kishte bërë një udhëtim në Lodër. Arsyeja ishte që t’i thoshte kryeministrit britanik përmes një këshilltari të tij, që Britania e Madhe të votonte kundër marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. Pra Edi Rama donte që vendi i tij, të cilin ai e drejtonte, të mos e marrë atë status në atë moment. Shkaku? Sepse meritat do t’i shkonin paraardhësit të tij dhe jo zotit Rama. Dhe ashtu u bë. Ministri i Jashtëm i Britanisë votoi kundër, ndonëse të gjitha vendet e tjera europiane ishin dakord. Kaq e ashpër është egoja dhe inati politik midis palëve!

Një qasje e tillë e politikës në Shqipëri dhe në Kosovë e ka dëmtuar imazhin dhe perspektivën e të dy vendeve. Inati për suksesin e rivalit ose të kundërshtarit është një sëmundje tipike shqiptare, në nivele të frikshme. Aq sa i bën politikanët tanë të verbër e krejt të paarsyeshëm në vendmmarrjen e tyre. Sa kohë që nuk e luftojmë këtë fenomen të rrezikshëm për fatet tona, aq kohë do të jemi të fundit në standardet euro-atlantike. Kosova ka përparuar shumë, por kjo që po ndodh me formimin e institucioneve po shkatërron gjithçka. Ndërsa Shqipëria, përveç fasadave, në çdo raport dhe statistikë europiane radhitet e fundit. I rrofshin samitet e mëdha për shou me ndihmën e Emmanuel Macron!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *