Sekuestrohen mbi 100 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare Merdare
Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 100 mijë euro para të padeklaruara në pikën kufitare të Merdarës, gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar më 3 korrik 2025, rreth orës 21:30.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti me targa të Serbisë ishte ndalur për kontroll të dytë, pasi pasagjeri kishte deklaruar se kishte me vete 18,000 euro. Megjithatë, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga zyrtarët policorë dhe doganorë, në vende të ndryshme të automjetit janë gjetur gjithsej 119,180 euro, të padeklaruara.
Sasia e madhe e të hollave ishte fshehur në disa lokacione: në trupin e drejtuesit të automjetit, në një çantë në ulësen e pasme, poshtë ulëses së pasagjerit, si dhe në pjesën e sipërme të automjetit – nën panoramën lëvizëse.
Të gjitha mjetet monetare, në kartëmonedha prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 eurosh, janë sekuestruar përkohësisht dhe janë dorëzuar tek autoritetet doganore për trajtim dhe procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, njofton se do të vazhdojë me kontrolle të rrepta për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e sigurisë kufitare.