Kurti përjashtoi PDK-në nga koalicioni, analistët mbështesin deklaratën e tij: Do të ishte ‘goditje’ për vendin!
Në një intervistë televizive të dhënë mbrëmë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur rreth Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mundësisë së një koalicioni me Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Kurti deklaroi se nuk ka shqyrtuar ndonjëherë mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në, duke e arsyetuar këtë me faktin se, sipas tij, kjo parti nuk është reformuar dhe ka kontribuar ndjeshëm në dëmtimin e shtetit të Kosovës.
Kurti deklaroi se PDK nuk është një parti e mirëfilltë politike, por një organizatë me strukturë të paqartë drejtuese.
“PDK nuk është reformuar. Në Partinë Demokratike ekzistojnë 4 ose 5 kryetarë, nuk e di a i ka 4 apo 5, por jam i sigurt që nuk i ka 3, 2 e as 1”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se për të, PDK funksionon si një shoqëri aksionare, ku papërgjegjësia është e pakufizuar dhe ku deklaratat e përfaqësuesve të saj nuk kanë peshë të unifikuar.
“PDK nuk është parti, është një shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vesh pse ke folë me një person, prandaj edhe Enver Hoxhaj thotë krejt diçka tjetër.Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh për instruksione politike.””, tha Kurti, duke iu referuar deklaratës së Hoxhajt se do të mbështeste një koalicion mes PDK-së dhe LVV-së.
Gjithashtu, Kryeministri në detyrë përmendi edhe përplasjet brenda PDK-së, duke e cilësuar partinë si sinonim të kapjes së shtetit.
E duke dëgjuar këtë deklaratë të Kurtit a do të cenoheshin parimet e reformës dhe qeverisjes së mirë nëse PDK do të hynte në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje?
Gashi: Një koalicion me PDK-në nuk do të ishte kompromis politik; do të ishte dorëzim para së keqes
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.
Ai thotë se se refuzimi i Albin Kurtit për koalicion me PDK-në nuk është thjesht politik, por një qëndrim parimor që reflekton mosbesimin ndaj elitave të vjetra të korruptuara.
ImageEduard Gashi.Foto galeri
Analisti e sheh këtë si përpjekje për të mbrojtur integritetin e qeverisjes dhe për të ndërtuar një shtet funksional mbi baza të pastra.
“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti, ku ai përjashton mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duhet parë jo si një veprim i zakonshëm politik, por si një pozicionim i thellë parimor, i cili mbështetet në historikun e ndërlikuar të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Kurti nuk foli vetëm për të fituar pikë politike apo për të bërë populizëm; përkundrazi, ai artikuloi një të vërtetë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës e ndjen: se një pjesë e elitave politike të kaluara kanë pasur rol të dyshimtë ose të dëmshëm në funksionimin e shtetit, sidomos në periudhat e para të pasluftës.
PDK-ja, e cila për vite me radhë ka dominuar institucionet e Kosovës, mbetet ende e lidhur në perceptimin publik (dhe shpesh edhe në raportet ndërkombëtare) me praktika të klientelizmit, kapjes së shtetit, korrupsionit dhe me dështimin për të sjellë një reformë reale në administratë, drejtësi dhe ekonomi. Prandaj, refuzimi i Kurtit për të bashkëpunuar me një parti që, sipas tij, nuk ka bërë reflektim të brendshëm dhe nuk është reformuar, është një akt politik që mbron jo vetëm integritetin e qeverisjes së tij, por edhe idenë e ndërtimit të një shteti funksional që e ka të pamundur të ecë përpara mbi baza të kalbura”, u shpreh ai.
A do të cenoheshin parimet e reformës dhe qeverisjes së mirë në rast të një koalicioni me PDK-në?
Ndërsa, një koalicion i mundshëm mes PDK dhe LVV sipas analistit do të ishte goditja më e rëndë për parimet e reformës dhe të qeverisjes së mirë në Kosovë, duke përmendur disa nga arsyet për këtë gjë.
“Po. Një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së do të ishte goditja më e rëndë për parimet e reformës dhe të qeverisjes së mirë në Kosovë. Ja pse:
1️. Përplasje fundamentale e vlerave – Lëvizja Vetëvendosje, me të gjitha sfidat dhe dobësitë që mund të ketë, ka ndërtuar profilin e saj politik mbi një platformë të qartë: luftën kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe reformën e thellë në drejtësi. PDK, nga ana tjetër, përfaqëson një të kaluar të mbushur me praktika të kundërta me këto parime. Të bashkosh këto dy forca do të thotë të mohosh vetë bazën mbi të cilën LVV ka kërkuar dhe marrë mandatin e qytetarëve.
2️. Humbja e besimit qytetar – Kosova sot ka një elektorat gjithnjë e më të ndërgjegjshëm dhe kritik. Një koalicion i tillë do të shihej si tradhti ndaj qytetarëve që kanë besuar se ndryshimi është i mundur. Ky do të ishte fundi i besimit të atyre që kanë shpresuar te reforma reale.
3. Normalizimi i së shkuarës së dëmshme – Çdo koalicion me një parti që nuk ka kërkuar falje për dështimet e së shkuarës dhe që nuk ka nxjerrë përgjegjësi nga radhët e veta, do të ishte një amnisti morale dhe politike për kapjen e shtetit. Ai do të legjitimonte një të shkuar që ka lënduar thellë shpresën e qytetarëve për drejtësi.
4. Dëmtimi i imazhit ndërkombëtar të Kosovës – Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës (BE, SHBA, NATO) kanë treguar vazhdimisht interes të madh për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Një hap i tillë do të dërgonte sinjalin se reforma është vetëm një slogan bosh dhe do të dobësonte pozitat e Kosovës në proceset integruese dhe të forcimit të shtetësisë”, shpjegoi analisti në detaje.
Ndër të tjera, analisti theksoi se qëndrimi i Kurtit kundër koalicionit me PDK-në përfaqëson vullnetin e shumicës për një Kosovë të drejtë dhe të reformuar.
Sipas tij, bashkëpunimi me PDK-në do të nënkuptonte tradhti ndaj kësaj rruge dhe do ta pengonte ndërtimin e një shteti funksional.
“Deklarata e Kryeministrit Kurti është në përputhje me aspiratat e shumicës së qytetarëve për një Kosovë të drejtë, të pastër dhe me institucione funksionale. Ajo është një vijë e kuqe që nuk duhet kapërcyer, nëse dëshirojmë të ndërtojmë një të ardhme që e kalon hijen e tranzicionit dhe të pasluftës.
Një koalicion me PDK-në nuk do të ishte kompromis politik; do të ishte dorëzim para së keqes që ka penguar Kosovën të bëhet një shtet model në Ballkan. Prandaj, çdo diskutim për koalicione të tilla është jo vetëm i panevojshëm, por edhe i dëmshëm për rrugën e reformës dhe të ndërtimit të shtetit”, foli Gashi për “Bota sot”.
Mehmeti: Kurti aktualisht po jep sinjale se nuk është i mundur një bashkëpunim mes VV-së dhe PDK-së
Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, nënvizoi se, ndonëse aktualisht Kurti e përjashton një koalicion me PDK-në, në të ardhmen një bashkëpunim i tillë mbetet i mundur, ndërsa për momentin LDK shihet si alternativa e vetme për një koalicion të madh.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Kjo deklaratë është më shumë në vazhdën e qëndrimit që Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur ndaj PDK-së. Sigurisht që dallimet mes këtyre dy partive janë të mëdha, por në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni të tillë.
Megjithatë, “Kurti aktualisht po jep sinjale se nuk është i mundur një bashkëpunim mes VV-së dhe PDK-së, duke e lënë LDK-në si opsionin e vetëm për një koalicion të madh”, thotë ai.
Në fund, ai tha se, megjithëse aktualisht një koalicion mes VV-së dhe PDK-së nuk është i mundur për shkak të mungesës së reformave në PDK dhe qëndrimeve të ndryshme brenda partive, në të ardhmen një bashkëpunim i tillë mbetet i mundshëm.
“Natyrisht, PDK-së i duhen reforma të thella, të cilat ende nuk po ndodhin, dhe nga ato reforma do të përfitonte më së shumti vetë PDK-ja. Ka zëra, si brenda VV-së ashtu edhe në PDK, që janë pro një koalicioni të tillë, por po ashtu ekziston edhe një grup rreth Sami Lushtakut që është kundër. Në përfundim, një koalicion i tillë nuk duket i mundur për momentin, por nuk përjashtohet që në të ardhmen të ndodhë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.