OPINIONTË FUNDIT

Eksperti austriak bën thirrjen: BE-ja dhe Gjermania të mbështesin ndërtimin e urave dhe autostradës së re në veri

Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar ndaj letrës së fundit të Petar Petkoviq, në të cilën ai i bën thirrje Bashkimit Evropian, shteteve anëtare dhe palëve të tjera të ndalojnë atë që ai e quan “veprime eskaluese të Prishtinës”, konkretisht ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Petkoviq e akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se po i përdor urat mbi Ibër, lumin që ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri – për “fushatë zgjedhore”, pasi zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen këtë vjeshtë.

“Duke njoftuar se urat do të hapen në tetor, para zgjedhjeve lokale, Kurti me vetëdije po e vë çështjen e sigurisë në shërbim të fushatës zgjedhore… BE-ja duhet ta ndalojë Kurtin në planet e tij para se të jetë tepër vonë”, ka thënë Petkoviq.

Ndërsa, nga ambasada gjermane kanë reaguar duke thënë se ka thirrje të vazhdueshme dhe se i bën edhe tani Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen, thirrje të tilla vlejnë edhe për Serbinë.

“Fakti që udhëheqësi i vetëdeklaruar i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, e pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellë përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe llogaridhënies në rajon”, ka thënë ajo.

Por a është kjo një shenjë reflektimi nga Gjermania për të ushtruar më shumë presion ndaj Serbisë, edhe për sulmin terrorist në Banjskë, duke qenë se vetë presidenti serb po i përdor autorët e këtij sulmi si roje dhe nuk po i dorëzon ata para autoriteteve të Kosovës?

Fehlinger: Kosova duhet të dyfishojë përpjekjet dhe të ndërtojë një autostradë të madhe dhe të bukur nga Mitrovica në Novi Pazar për t’u lidhur me Sanxhakun, Sarajevën, Zagrebin dhe Vjenën

Lidhur me këtë ҫështje, është koha për ndërtimin e autostradës nga Mitrovica drejt veriut, thotë eksperti austriak Günther Fehlinger

Eksperti i njohur austriak për Ballkanin, Günther Fehlinger, thekson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë është një hap shumë pozitiv dhe duhet të mirëpritet nga të gjithë ata që synojnë paqen dhe prosperitetin në rajon.

ImageGünther FehlingerFoto galeri
“Ankesa e udhëheqësve serbë tregojnë se ata nuk janë të interesuar për paqen, Kosova duhet të dyfishojë përpjekjet dhe të ndërtojë një autostradë të madhe dhe të bukur nga Mitrovica në Novi Pazar për t’u lidhur me Sanxhakun, Sarajevën, Zagrebin dhe Vjenën”, thotë ai.

Sipas tij, autostradat janë simbole të fuqishme të unitetit kombëtar dhe manifestim i fuqishëm i vullnetit politik.

“Ndërtimi i një autostrade përmes Mitrovicës në veri, tregon se Kosova zotëron veriun e Kosovës përgjithmonë. Pronësia vjen me detyrimin për t’u zhvilluar dhe për t’u kujdesur,” dhe një autostradë e re është “një mjet i fuqishëm zhvillimi”, theksoi ai.

Eksperti austriak potencoi se autostrada do të jetë “një arterie prosperiteti dhe një e mirë për të gjithë qytetarët pavarësisht nga etnia,” duke shtuar se “serbët e Kosovës mund të arrijnë në Serbi më shpejt dhe më mirë.”

Ai sugjeron që Bashkimi Evropian duhet ta motivojë Serbinë që të lidhë Novi Pazarin me Pozegën, ku tashmë përfundon sistemi i autostradave serbe.

“Ushtria dhe policia e Kosovës mund ta sigurojnë kufirin verior më mirë me qasje më të shpejtë në veri pa bllokada serbe,” dhe se “veriu i egër dhe shpesh pa ligj i 26 viteve të fundit do të marrë fund nga një autostradë e tillë”, vlerëson ai.

Eksperti austriak apelon që BE-ja dhe Gjermania të mbështesin ndërtimin e urave dhe autostradës së re veriore.

“Serbia nuk mund ta kundërshtojë seriozisht një infrastrukturë kaq të dobishme për popullin e Serbisë dhe të Kosovës. Atëherë serbët në veri të Kosovës janë thjesht gurë shahu dhe pengje nga një regjim i dështuar që nuk interesohet aspak për të ardhmen ose mirëqenien e tyre”, tha ai.

Fehlinger përfundon duke vënë në dukje se ndërtimi në veri “tregon se Kosova kujdeset për qytetarët e saj, ashtu si bëjnë të gjitha shtetet evropiane.”

Berisha: Në thelb të reagimit të ambasadës qëndron një e vërtetë e thjeshtë: ndërtimi i infrastrukturës në veri të Kosovës është e drejtë sovrane e shtetit të Kosovës

ImageFejzulla BerishaFoto galeri
Po ashtu për këtë ҫështje ka folur edhe profesori universitar, Fejzulla Berisha. Ai thotë se, në pamje të parë mund të duket si një nga reagimet e zakonshme diplomatike, por në të vërtetë qëndrimi i Ambasadës Gjermane përfaqëson më shumë se një sqarim teknik: është një sinjal politik që Berlini nuk do të tolerojë më retorikën mashtruese të Beogradit dhe viktimizimin e rremë të Serbisë në raport me zhvillimet në Kosovë.

“Në thelb të reagimit të ambasadës qëndron një e vërtetë e thjeshtë: ndërtimi i infrastrukturës në veri të Kosovës është e drejtë sovrane e shtetit të Kosovës. Të quash ndërtimin e dy urave si “provokim” është një përpjekje e hapur për të deformuar realitetin në terren dhe për ta paraqitur qeverinë e Kosovës si destabilizuese. Gjermania këtë nuk e pranoi. Ky refuzim i qartë ndaj propagandës zyrtare të Beogradit është në përputhje me qëndrimin konsekuent të Gjermanisë për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim, Berlini i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë Serbisë: nuk mund të pengoni ndërtimin dhe zhvillimin e veriut të Kosovës përmes letrave politike dhe sulmeve propagandistike”, vlerëson ai.

Profesor Berisha theksoi se më shumë sesa një qëndrim për një letër të veçantë, ky reagim duhet parë në kontekstin më të gjerë të krizës së sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serb me mbështetje shtetërore vrau një polic të Kosovës dhe u përlesh me forcat e rendit në një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar.

“Deri më sot, asnjë nga autorët kryesorë të këtij sulmi nuk është ekstraduar apo ndëshkuar nga Serbia. Përkundrazi, disa prej tyre janë mbrojtur publikisht nga vetë presidenti Vuçiq, duke u paraqitur si “patriotë” dhe jo si terroristë. Në çdo shtet demokratik, kjo do të përbënte një skandal të madh dhe do të sillte pasoja të rënda politike dhe ligjore. Në vend që të përballet me drejtësinë, Serbia po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen ndërkombëtare nga Banjskë në çështje të tilla si “urat në Mitrovicë”. Por Berlini po tregon se nuk bie më në grackën e shpërqendrimit”, tha ai.

I pyetur se, a po ndryshon realisht qëndrimi i Gjermanisë ndaj Serbisë, ai thotë po, por me hapa të kujdesshëm.

“Gjermania ka qenë tradicionalisht mbështetëse e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar një faktor kyç për stabilitetin rajonal. Megjithatë, pas agresionit të Banjskës dhe pasivitetit të qëllimshëm të Beogradit për të ndëshkuar kriminelët, është bërë e qartë se Serbia nuk mund të kërkojë integrim në BE dhe në të njëjtën kohë të mbrojë strukturat kriminale në veri të Kosovës.

Qasja gjermane po evoluon nga durimi diplomatik në kushtëzime të heshtura, por të qarta, të cilat do të shfaqen në fazat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Shteti gjerman nuk ka më as durimin dhe as besimin për të përballuar një Serbi që luan rol destruktiv në rajon”, vlerëson ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *