OPINIONTË FUNDIT

Deputeti i CDU-së: Europa ta marrë seriozisht Serbinë, kushdo që dëshiron stabilitet s’mund ta injorojë Beogradin

Deputeti i CDU-së në Bundestag, Peter Beyer, pas një vizite në Serbi ka thënë se ky vend “nuk është thjesht një fqinj i çfarëdoshëm – por një faktor gjeopolitik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor”.

“Kushdo që dëshiron stabilitet dhe një rend europian në Europën Juglindore nuk mund ta injorojë Beogradin”.

Për protestat në Serbi, Beyer tha se situata është më komplekse në Beograd sesa që raportohet.

“Gjatë vizitës time në Beograd, fola me Presidentin Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të qeverisë, politikanë të opozitës dhe aktorë të shoqërisë civile. Pamja që po shfaqet është më komplekse nga sa sugjerojnë shumë komente të politikës së jashtme. Po, ka protesta, kryesisht nga studentët, në numër të madh por në rënie. Dhe po, ka një debat legjitim dhe të nevojshëm rreth standardeve demokratike, lirisë së medias dhe sundimit të ligjit. Por Serbia nuk është në prag të kaosit apo luftës civile, por në një pikë kthese: Ekonomikisht dinamike, strategjikisht e rëndësishme në politikën e jashtme – dhe në kërkim të drejtimit, ripërtëritjes dhe orientimit brenda vendit”, ka shkruar ai në Linkedin.

Beyer thotë se pyetja kryesore nuk është nëse BE do t’ia hapë derën Serbisë meqë “është e hapur”.

“Pyetja është: A dëshiron vërtet Serbia të kalojë?”.

“Kjo kërkon më shumë sesa premtime boshe – domethënë, hapa konkretë drejt sundimit të ligjit, pluralizmit dhe besueshmërisë ndërkombëtare”.

Ai tha se në Beograd pa “një shenjë të fortë” se çka mund të prodhojë bashkëpunimi europian në një vizitë në një park inovacioni të financuar nga BE.

“Europa duhet ta marrë seriozisht Serbinë – dhe Serbia duhet të tregojë se e merr seriozisht Europën”, tha ai.

Beyer është bashkëpartiak i kancelarit Friedrich Merz, i cili mori pushtetin pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *