POLITIKATË FUNDIT

Tha se i kanë shkurtuar fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, Sallahu i reagon Krasniqit: Janë shpifje, i kemi paguar mbi 32 milionë euro

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu i është kundërpërgjigjur sot kritikave të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu i kanë zvogëluar fondet për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Lidhur me këtë deklaratë të Krasniqit, ka reaguar sot zëvendësministri në detyrë, Sallahu përmes një postimi në Facebook.

“Në mandatin tonë janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e personave që mbahen në paraburgim në Hagë! Pra, deklarimet e Memli Krasniqit janë veç shpifje!”, shkruan Sallahu.

E Krasniqi në një deklaratë për media sot gjatë ditës tha se kryeministrin në detyrë, Albin Kurti kompleksi ndaj UÇK-së e ka shoqëruar tërë jetën.

“Me këtë deklaratë ai (Kurti) po vazhdon të jetë argat i prokurorisë, sepse deklaratat e tilla e dëmtojnë pozicionin e tyre. Nuk është befasuese e as diçka e re, sepse kompleksi i Kurtit në raport me UÇK është diçka që e ka definua gjatë gjithë jetës së tij. S’ka shkuar as t’i vizitoj, madje as z.Selimi. Ai së bashku me Albulena Haxhiun i kanë zvogëluar fondet e mbrojtjes”, ishte shprehur Krasniqi.

Kjo deklaratë e Krasniqit erdhi pas një deklarate mbrëmjen e së mërkurës të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i cili theksoi se zyrtarët e PDK-së po i vizitojnë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë për instruksione politike. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *