Festivali “Rock & Blues” mbush xhepat e miqve të kryetarit Totaj – Vetëvendosje në Prizren kërkon hetim urgjent
Një nga festivalet më të subvencionuara në Komunën e Prizrenit, “Rock & Blues”, është bërë epiqendra e akuzave për klientelizëm dhe keqpërdorim të buxhetit publik. Sipas një reagimi të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Prizren, ky festival nuk përfaqëson as interesin kulturor të qytetit dhe as vlerat që duhet të promovohen me paratë publike.
Në një deklaratë për media, Lëvizja Vetëvendosje thekson se “rasti i subvencionimit të festivalit ‘Rock & Blues’ nuk është as rastësi, as gabim administrativ; është një skemë e mirëorganizuar klienteliste që shkel çdo parim të transparencës dhe ndershmërisë institucionale.”
Sipas VV-së, përfituesi i drejtpërdrejtë i subvencioneve, Hekuran Gashi, nuk është figurë e njohur në skenën muzikore, por “eksponent politik i PDK-së, i njohur për mbështetjen e hapur ndaj Shaqir Totajt dhe kandidatëve të PDK-së në zgjedhjet komunale të vitit 2021.”
Organizata përmes së cilës është realizuar ky festival, “Melodia e Rok & Bluz në Turizëm”, sipas VV-së, është krijuar pas marrjes së mandatit të Totajt si kryetar komune, çka sipas tyre dëshmon për një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet pushtetit lokal dhe përfituesve.
Subvencione në rritje marramendëse
Vetëvendosje ka publikuar edhe shifrat e subvencioneve të ndara për këtë festival në tri vitet e fundit:
2023: 58,000 €
2024: 95,000 €
2025: 119,000 €
Totali: 272,000 euro nga buxheti komunal, një shumë që po rritet nga viti në vit dhe që, sipas VV-së, “dëshmon një favorizim të hapur dhe sistematik.”
Në deklaratën e VV-së thuhet se kjo është “fytyra e vërtetë e keqqeverisjes së Shaqir Totajt: uzurpim i fondeve publike, kapje e skenës kulturore, nënçmim i talenteve të vërtetë të qytetit dhe kthim i kulturës në mall politik për përdorim elektoral.”
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga organet kompetente që të nisin hetime të menjëhershme për rastin.
“Kërkojmë që organet kompetente të hetojnë me urgjencë shpërdorimin e buxhetit komunal për interesa të ngushta partiake dhe familjare,” thuhet në fund të deklaratës.
“Prizreni është kryeqyteti i kulturës, jo i klientelizmit,” përfundon reagimi i VV-së.