Transformimi i doktrinave dhe armatimit aktual ushtarak: Nga mekanizimi tradicional te dominimi i teknologjive të reja ushtarake
Prof.dr.Muhamet Racaj
Hyrje
Në dekadat e fundit, peizazhi i sigurisë ndërkombëtare ka pësuar ndryshime të thella, të diktuara nga zhvillimet teknologjike, përvojat nga konfliktet e reja dhe nevoja për efikasitet më të madh ushtarak. Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe vendet e Evropës Lindore, po përballen me sfida të reja që kërkojnë rishikim të thellë të doktrinave ushtarake, strukturës së armatimit dhe mënyrës së organizimit të forcave të tyre të armatosura. Këto ndryshime reflektojnë një tranzicion nga forcat e rënda të mekanizuara drejt formacioneve më fleksibël, përdorimit të teknologjive të avancuara si dronët, inteligjenca artificiale dhe sistemet autonome, si dhe adaptimit të industrisë ushtarake ndaj kërkesave të reja të luftës moderne. Ky punim analizon tendencat kryesore të transformimit të doktrinave ushtarake në vendet perëndimore, arsyet strategjike pas këtyre ndryshimeve dhe ndikimin e tyre në sigurinë evropiane dhe globale.
Deklarata për paqe, por edhe aktivitetet në drejtim të luftës ushtria britanike e paraqiti doktrinën e saj të re ushtarake, e përshkruar si strategjia “20-40-40”. Doktrina e re ushtarake britanike distancohet nga prodhimi dhe përdorimi i forcave të rënda të mekanizuara, dhe fokusohet në “formacione fleksibël për luftë me dronë”.
Vendimi për kalimin në planifikimin e ri ushtarak është marrë pas sintetizimit të një sërë analizash të përhershme nga lufta ruso-ukrainase.
Çfarë paraqet strategjia britanike për armatim “20-40-40”?
Sipas “The Times”, udhëheqësia ushtarake britanike ka miratuar një koncept për transformimin e ushtrisë britanike në një “strukturë pa pilotë dhe autonome, ku 80 për qind e operacioneve do të kryhen me dronë” (40% + 40%). Në prioritetet e reja doktrinare theksohet “dislokimi i shpejtë”, si dhe “dominimi digjital”. Kjo qasje është vlerësuar nga ekspertët ushtarakë si jashtëzakonisht e përshtatshme për ristrukturimin e ushtrisë britanike. Kapacitetet e deritanishme ushtarake britanike, në kuadër të doktrinës tradicionale me përdorimin e “platformave të rënda të mekanizuara”, tashmë janë zvogëluar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Për shembull, kjo tendencë pasqyrohet edhe në planet aktuale për një blerje të mundshme prej vetëm 148 tankesh “Challenger 3”, të cilët, sipas përvojave dhe analizave nga Ukraina, nuk janë më të rëndësishëm nga pikëpamja strategjike ushtarake.
Kështu, me përditësimin e doktrinës ushtarake britanike, propozohet një tranzicion drejt kësaj strukture: 20% armë tradicionale të rënda (tanke, topa vetë-hedhës dhe mjete luftarake këmbësorie); pastaj 40% të ashtuquajturit armë lëvizëse (dronë modernë që mund të qëndrojnë gjatë mbi fushën e betejës dhe sulmojnë objektiva me urdhër), përfshirë edhe dronët kamikazë; dhe 40% dronë pa pilot për zbulim, mbikëqyrje dhe eventualisht sulme të vogla “kirurgjikale dhe precize”. Doktrina e re ushtarake britanike përfshin ristrukturim edhe në fushën e trajnimit, simulimit, logjistikës, strukturës së komandës, si dhe, natyrisht, në zhvillimin e mëtejshëm të vetë doktrinës (planifikim dhe zhvillim).
Në pjesën e resurseve njerëzore dhe formacioneve ushtarake (forca njerëzore) do të krijohen formacione të reja të vogla (në nivelin e një skuadre, madje edhe më të vogla, në nivelin e një kompanije), të cilat do të përfshijnë: •Operatorë dronësh,
•Analistë të inteligjencës artificiale dhe
•Njësi për luftë elektronike.
Ajo që është thelbësore është se në pjesën e industrisë ushtarake të dedikuar, ristrukturimi drejt doktrinës së re do të jetë gjithashtu thelbësor. Kjo, natyrisht, do të ndikojë edhe në ekonominë kombëtare. Në fakt, lojtarët e mëdhenj të konsoliduar në industrinë aktuale duhet t’u lënë vend (ose të ristrukturohen) kompanive më të vogla dhe më inovative që punojnë në fushën e inteligjencës artificiale, sistemeve pa pilot dhe autonome.
Vlen të theksohet se ky ndryshim në strategjinë e Britanisë është shumë radikal në krahasim me anëtarët e tjerë të NATO-s. Ndërsa vendet e tjera eksperimentojnë me futjen dhe përdorimin e teknologjive pa pilot në forcat e tyre të armatosura, vetëm pak janë të gatshëm për një kthesë kaq drastike dhe madje të papritur.