OPINIONTË FUNDIT

‘Vuҫiq ‘investoi‘ tek Thaҫi dhe Rama dhe provokoi SHBA-në“/ Zbërthehet deklarata e Trump kur Kosova dhe Serbia mund të përplaseshin

Presidenti amerikan, Donald Trump dje deklaroi se ka ndaluar një luftë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sikur disa luftëra të tjera nëpër botë.

“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: Ndoshta nuk do të përplasemi”, ka deklaruar të shtunën presidenti Trump.

Kjo deklaratë e tillë ka nxitur debate të ndryshme në Kosovë, duke komentuar gjendjen e sigurisë dhe rreziqet e mundshme nga Serbia.

Këtë deklaratë e ka komentuar edhe Prof.Dr. Enver Bytyҫi. Ai thotë për ‘Bota sot’ se, deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai me marrëveshjen e shtatorit 2020 ka parandaluar një sulm ushtarak të Serbisë kundër Kosovës u përsërit disa herë. Së paku në tri momente Trump mbrojti të njëjtën pikëpamje, duke përfshirë dhe deklarimet e tij në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë të Holandës.

ImageProf.Dr. Enver BytyҫiFoto galeri
“Së fundmi tha se ai kishte informacioni nga një mik i tij në Serbi se presidenti Vuçiq dhe qeveria serbe po përgatiteshin për një sulm ushtarak kundër Kosovës. Ndaj këtyre deklaratave ka patur reagime të ndryshme. Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mohuar kategorikisht se vendi i tij ka përgatit ndonjë herë ndonjë sulm kundër Kosovës. Madje ai ka thënë se Serbia “nuk është agresore”, duke dashur që t’i shmanget një përgjegjësie si ajo e Milosheviçit. Por presidenti i Serbisë është i pabesueshëm. Askush nuk pret që Vuçiq të pranojë se kishte ose ka projekte sulmesh ushtarake kundër Kosovës. Megjithatë ushtria serbe në numër shumë të madh mjetesh, ushtarësh dhe oficerësh është gjendur disa herë në kufi me Kosovën dhe është tërheq vetëm mbas presioneve të SHBA-ve dhe ndonjë fuqie tjetër europiane apo Turqisë. Për të shmangur përgjegjësinë e saj, Serbia gjithmonë në historinë e shekullit XX i ka nis luftërat e saj kundër popujve dhe shteteve fqinjë të saj me paramilitarë, të cilët udhëhiqeshin në hije nga gjeneralë aktivë ose në pension të ushtrisë serbe.

Kështu ka ndodhur me vrasjen e Franz Ferdinand në vitin 1914. Kjo kishte ndodhur fillimisht edhe para nisjes së Luftës së Parë Ballkanike. E njëjta gjë ka ndodhur gjatë masakrave të çetnikëve e më pas të partizanëve serbë kundër shqiptarëve gjatë dhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E njëjta gjë ndodhi edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci e në Kosovë me “Tigrat e Arkanit”, “Berretat e Kuqe” dhe paramilitarët e Shejshelit në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Më pas ka hyrë në lojë ushtria. Madje vetëm në Kosovë ndërhyrja ushtarake e policore është e zyrtarizuar. NP Bosnjë dhe Kroaci u fsheh ky fakt, për t’i shpëtuar përgjegjësisë së Milosheviçit e të Serbisë”, thotë profesor Bytyҫi.

Ai thotë më tutje se, të njëjtën taktikë po ndjek presidenti aktual, Aleksandër Vuçiq. Ai ishte dhe mbetet arkitekti i akteve terroriste në veri të Kosovës, si në rastin e Banjskës.

“Ai merr në mbrojtje dhe madje i jep paratë e buxhetit të shtetit kryeterroristit, Milan Radojeviç. Megjithatë, thotë se nuk ka dorë në këto ngjarje dhe nuk ka synuar asnjëherë të bëjë ndonjë sulm ushtarak kundër Kosovës. Pse ndodh kësisoj? Sepse Serbia ka mbijetuar përmes ushtrimit mental të viktimizimit. Sa herë që ajo ka bërë agresorin, ka dështuar. Sa herë ka bërë viktimën, ka mundur të penetrojë në diplomacinë perendimore. Edhe djalli turpërohet nga ajo çfarë sheh në djallëzinë e lidershipit serb”, vlerëson ai.

Profesor Bytyҫi thotë se, duhen vënë në dukje dy momente gjatë përpjekjeve të Presidentit Trump në mandatin e tij për Kosovën.

“Ne e dimë se fillimisht administrata e tij ishte pajtuar me idenë e Vuçiq të përkrahur nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe të promovimit të kësaj ideje logjikisht që nuk kishte arsye pse Serbia të intervenonte ushtarakisht në Kosovë. Asaj po i jepnin atë që donte vetë presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë. Ishin vitet e pajtimit dhe vllzërim-bashkimit midis të tre këtyre liderëve. Vite të paqes, çmimin e së cilës po e paguante Kosova me territore. Madje disa politikanë që sot kakarisin në Kosovë kanë përdorur paratë e taksapaguesve kosovarë për të lobuar për ndarjen e Kosovës. Trishtim ishte dhe mbetet ky fakt, por kjo është e vërteta. Në këtë rast nuk besoj për ndonjë aventurë sulmesh ushtarake”.

“Më pas, kur Thaçit iu komunikua akt-akuza e Hagës dhe më pas u arrestua, presidenti i Serbisë veproi me agresivitet të madh. Madje projektoi akoma sa ishte Trump në Shtëpinë e Bradhë një sulm ushtarak, me mendimin se administrata e tij nuk do të reagonte. Besoj se presidenti Trump i referohet kësaj periudhe. Dështimi i projektit për ndarjen e Kosovës e tërboi presidentin e Serbisë. Kishte investuar aq shumë për këtë. Sidomos te lobet proserbe në Europë dhe SHBA, por edhe te kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës. Këta dy të fundit nuk e di çfarë përfitimesh kanë pasur. Por jam i sigurt se koha do ta zbulojë edhe këtë”, vlerëson Bytyҫi për ‘Bota sot’.

Tutje ai thotë se, momenti i dytë është marrëveshja e Trump me presidentin Vuçiq dhe me kryeministrin Hoti.

“Dihet tashmë se në projekt- marrëveshjen me presidentin e Serbisë kishte dhe një pikë themelore. Serbia detyrohej që maksimumi pas një viti ta njihte pavarësinë e Kosovës. Vuçiq u nervozua. Kjo kërkesë e Trump u hoq nga projekti. Por jam i bindur se mbeti në memorien e presidentit Trump. Pra, njohja e Kosovës nga Serbia është aty në zyrën ovale të presidentit Donald Trump. Këtë kam parasysh kur Trump deklaron se “Serbia po lëviz në drejtim të Kosovës”! Ndërkaq kur Trump deklarohet se parandaloi një luftë në Kosovë, ai synon dy objektiva: – Të promovojë politikën e tij të paqes dhe kjo është një meritë e padikutueshme e tij. Dhe të paralajmërojë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiq se koha e kërcënimeve me luftë ka mbaruar. Po! Ka mbaruar kjo kohë. Vuçiq duhet ta njohë Kosovën si shtet para se të marrë valixhet e të ikë nga pushteti”, tha profesor Bytyҫi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *