OPINIONTË FUNDIT

“Opozita pa takat, por me inat” – Shala: Ata që për 20 vite heshtën, shantazhuan dhe përzunë prokurorë, sot janë kundër Albulena Haxhiut

Kosova po hyn në muajin e shtatë të ngërçit politik. As vendimi Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e votimit të fshehtë dhe konstituimit të Kuvendit.

Vendimi i Kushtetuses, e cila kishte për obligim ta sqaronte aspektin juridik të funksionimit të Kuvendit duket se thelloi dhe plarizoi edhe më shumë qëndrimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera opozitare që u radhitën pas saj në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Hafiz Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur mbi ngërçin e thelluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetues.

Sipas tij, ndonëse faji bije mbi të gjitha palët, partitë e opozitës nuk mund ta kushtëzojnë zgjedhjen e deputetes Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

“Me gjithë arsyetimet e të gjitha palëve të interesit – opozitë, pozitë – turpi bie mbi të gjithë.
Nëse e masim me peshoren e barnatores, siç thotë populli, megjithatë opozita, nga xhelozia dhe dëshira për pushtet, nuk po e respekton vullnetin e sovranit. Ai ia dha shumicën e votave VV-së, duke e sjellë në vendin e parë me 48 vota më shumë se dy partitë e para dhe e dyta së bashku, e më shumë se gjysma e partisë së tretë.

ImageHafiz ShalaFoto galeri

Opozita nuk mund të diktojë kushte dhe parakushte se si të sillet pozita fituese, e cila e ka propozuar kandidaten për Kryeparlamentare, znj. Albulena Haxhiu – njëra ndër gratë më të votuara në Republikën e Dardanisë, pas Presidentes znj. Vjosa Osmani”, ka thënë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, opozita ka të drejtë në vërejtje dhe sugjerime, por jo edhe t’i vendosë kushte pozitës, pasi vendin e merituar ia ka dhënë sovrani me votën e fshehtë, duke respektuar vullnetin dhe autoritetin e çdo deputeti dhe të partive politike.

Shala po e konsideron si skandaloze edhe një deklaratë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ajo që deklaroi kryetari i LDK-së, se ne si parti duam ta fotografojmë çdo votë, duke e inçizuar që nga momenti i marrjes së fletëvotimit nga tavolina, dhe pas votimit deputeti duhet ta kthejë fletëvotimin drejt kamerave me qëllim që të kontrollohet për kë ka votuar – është skandaloze

Unë, në një postim në Facebook, e kam cekur se një veprim i tillë mund të imagjinohet vetëm në shtetet diktatoriale si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Irani etj. Këtë, vërtet nuk mund ta kuptoja. Sepse – pa qëllim ta idealizoj – por vota e deputetit të popullit, ndonëse i përket një partie politike, para së gjithash i përket popullit dhe vendit, e pastaj partisë, cilado qoftë ajo. Sepse partitë dhe udhëheqësit e tyre, fatkeqësisht, shpesh e shohin pushtetin si qëllim në vetvete, para shtetit.

Kjo, fatkeqësisht, u manifestua gjatë gjithë kësaj periudhe të “cirkudiadës”, siç mund ta quajmë, defilimi përmes hyrjes e daljes nga shtëpia e demokracisë”, ka potencuar ai.

Andaj, Shala ka thënë se opozita nuk ka fuqi dhe nuk mund të ketë inat pasi nuk përputhet me votën e sovranit.

“Opozita nuk e ka takatin, prandaj as nuk mund ta ketë inatin – sepse ai nuk përputhet me fuqinë e votës së sovranit”, thotë Shala.

Nga ana tjetër, ai thotë se problemi i ngërçit nuk qëndron te Albulena Haxhiu.

“Sepse, siç e dini, reagimi i saj kundër votimit të Gjykatës Speciale ishte një veprim i një zonje që nuk ngurroi të përdorë format dhe metodat për të ndalur një gjykatë njëetnike dhe raciste. Anipse ish-udhëheqësit e asaj kohe me ngulm insistonin që ajo të votohej, që në fakt ishte vetëvrasje në radhë të parë për vetë ata, ndërsa më kryesorja – ishte vendim fatal për Republikën e Dardanisë, me të cilin po ballafaqohemi edhe sot”, shprehet ai.

Më tej, Shala rikujtoi se VV-ja dhe znj. Haxhiu e dhanë edhe lëshimin e fundit, ku ajo deklaroi se do të tërhiqet nëse nuk merr votat e nevojshme pas votimit të fshehtë. Mirëpo ai thotë se opozita e ka hallin diku tjetër.

“Sa po duket, palët kanë një frikë, por ajo që opozitën po e mundon është se janë të ngarkuar me dështimet dhe përgjegjësitë e së kaluarës – të mbuluara me krim, korrupsion dhe hajnira të organizuara në bashkëpunim me organet dhe shërbimet institucionale si prokuroria, gjykatat, hetuesia dhe organet e ndjekjes, të cilat për 20 vite heshtën, toleruan, shantazhuan dhe përzunë prokurorë.

Për këtë arsye, një qeveri e pastër mund t’ua mbyllë rrugën këtyre metodave përmes të cilave e sollën shtetin në këtë gjendje të rëndë – dhe pa eliminimin e këtyre dukurive, është e vështirë të ecim përpara.

Kthjelluni dhe nesër votoni në mënyrë demokratike, me votën e fshehtë, duke mos i mbajtur deputetët nën kontroll – sepse ata nuk iu takojnë juve, por sovranit”, përfundoi Shala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *