Vuçiq me mesazh të “koduar” për Kosovën – Gashi: Të merren masa urgjente, mitet historike po kthehen në armë politike
Është mbajtur festa tradicionale e serbëve, e njohur si “Vidovdani”. Megjithatë, festimet e këtij viti janë shoqëruar me tensione.
Policia e Kosovës ka shoqëruar për intervistim 17 persona, të cilët dyshohet se kanë provokuar situatën përmes veprimeve dhe veshjeve me përmbajtje nxitëse dhe të ndaluara me ligj.
Këto zhvillime kanë sjellë edhe reagime nga Beogradi zyrtar, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “do të vijë dita kur serbët do të jenë në gjendje të veshin fanella serbe dhe të bartin flamuj serbë kudo dhe krejt të lirë”.
Zhvillimet e ceremonisë – sfidë për rendin kushtetues të Kosovës
Në një prononcim për “Bota sot”, Eduard Gashi, analist politik, e sheh Vidovdanin si një instrument provokativ të Serbisë, me pjesëmarrjen e strukturave paralele që shkelin ligjin dhe sfidojnë sovranitetin e Kosovës.
ImageEduard GashiFoto galeri
Ai i konsideron këto aktivitete si pjesë të një strategjie për të penguar integrimin e veriut në rendin kushtetues të Kosovës
“Ceremonia e djeshme e Vidovdanit në veri të Kosovës u shoqërua me:
Prani të zyrtarëve të lartë serbë dhe pjesëtarëve të strukturave paralele, të cilat veprojnë në shkelje flagrante të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Mesazhe të qarta provokative që synojnë të sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe të legjitimojnë ndikimin e Beogradit në këtë pjesë të territorit të shtetit tonë.
Këto struktura paralele, të financuara dhe të drejtuara nga Serbia, nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe shkelin marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit. Aktivitetet e tyre nuk janë simbolike, por pjesë e një strategjie të qëndrueshme për të penguar integrimin e veriut në rendin kushtetues dhe administrativ të Kosovës”, ka potencuar ai.
Deklarata e Vuçiqit – një kërcënim i koduar dhe sfidë ndaj Kosovës
Po ashtu, Gashi e konsideron deklaratën e Vuçiqit si një provokim dhe sfidë ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
“Deklarata e presidentit serb Vuçiq:
“Do të vijë dita kur serbët do të jenë në gjendje të veshin fanella serbe dhe të bartin flamuj serbë kudo dhe krejt të lirë”, është një provokim i qartë dhe një sfidë e tërthortë ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
Kjo deklaratë nuk është thjesht mbrojtje e të drejtave kulturore të serbëve. Përkundrazi:
Është një mesazh i koduar që nënkupton se Beogradi nuk e njeh realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe vazhdon të pretendojë të drejtë mbi këtë territor.
Është përpjekje për të inkurajuar elementë destabilizues në terren, duke u dhënë atyre sinjal se Serbia është prapa tyre.
Është një strategji për të devijuar vëmendjen e opinionit të brendshëm në Serbi nga problemet reale sociale dhe ekonomike, duke përdorur Kosovën si valvul shkarkimi për frustrimet kombëtare”, ka shtuar ai.
Pasojat dhe rruga përpara
Gjithashtu, Gashi ka thënë se Serbia nuk ka braktisur projektin e saj për pretendime territoriale ndaj Kosovës, pavarësisht dialogut.
Tutje, ai ka kërkuar që BE dhe SHBA të kuptojnë se narrativat e Serbisë janë strategji destabilizuese dhe të ndërmarrin masa konkrete për ta ndalur këtë.
“Serbia vazhdon të mos e ketë braktisur projektin e saj për pretendime territoriale ndaj Kosovës, pavarësisht angazhimeve në dialog.
Qeveria e Kosovës duhet të ruajë qetësinë, por të veprojë me vendosmëri: forcim të rendit ligjor në veri, zhvillim ekonomik të zonës dhe krijim të kushteve që komuniteti serb i Kosovës të integrohet në shoqërinë tonë, larg ndikimit të Beogradit.
Faktori ndërkombëtar, veçanërisht BE dhe SHBA, duhet të kuptojë se narrativat e Beogradit nuk janë vetëm retorikë, por pjesë e një strategjie destabilizuese dhe të marrë masa konkrete për ta frenuar këtë”, ka theksuar Gashi.
E vërteta historike dhe e drejta ndërkombëtare mbi mitet
Eduard Gashi thekson se Kosova është një realitet i njohur ndërkombëtarisht dhe çdo përpjekje për ta sfiduar është e destinuar të dështojë.
“Vidovdani i këtij viti na kujton se:
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Mitologjia historike nuk mund të zëvendësojë realitetin juridik ndërkombëtar dhe as të përdoret për të mohuar të drejtën e një kombi për të jetuar i lirë.
Kosova është një realitet i njohur ndërkombëtarisht dhe çdo përpjekje për ta sfiduar atë është e destinuar të dështojë.
Në frymën e Scholl-Latour: Ballkani nuk është i rrezikshëm nga vetja. Ballkani bëhet i rrezikshëm kur mitet dhe pretendimet e rreme historike shndërrohen në armë politike”, ka përfunduar Gashi.