TË FUNDIT

Ftesa e Kurtit për takim, analistët shprehen skeptikë: Liderët e opozitës nuk janë gati për zgjidhje!

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 prill 2025, skena politike në Kosovë është përballur me një situatë të ndërlikuar, e cila ka çuar në vonesa të konsiderueshme në formimin e institucioneve të reja.

Pavarësisht përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të ri, partitë politike nuk po arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kështu duke e bllokuar procesin e formimit të institucioneve.

Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha një vendim më 26 qershor 2025, duke urdhëruar përfundimin e seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit brenda 30 ditëve.

closevolume_off
Në përgjigje të kësaj situate, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është drejtuar krerëve të subjekteve politike me një ftesë për takim të përbashkët, i cili do të mbahet spt (të shtunën), më 28 qershor në orën 16:00.

Qëllimi i takimit është që të diskutohet dhe të arrihet një konsensus politik për mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe hapave të mëtejshëm drejt formimit të qeverisë së re.

Ftesën e kryeministrit e kanë pranuar partitë politike.

Kujtojmë që, ky takim shihet si një përpjekje e fundit për të shmangur një krizë më të thellë institucionale dhe për të dëshmuar se klasa politike është në gjendje të veprojë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe pritshmëritë e qytetarëve.

E të gjendur në këtë situatë analistët kanë folur për pritshmërit nga takimi i liderëve të subjektëve politike.

Zogaj: Ftesa Kurtit për një takim të përbashkët drejtuar krerëve të subjekteve politike është më e domosdoshmja

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Ai kritikoi ashpër mungesën e unitetit mes shqiptarëve, duke e cilësuar egoizmin dhe kryeneçësinë si arsye historike të dështimeve të tyre.

Gjithashtu, theksoi se sjellja aktuale e liderëve politikë, të cilët po pengojnë formimin e institucioneve, është kulmi i papërgjegjshmërisë dhe një rrezik serioz për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve nëpër shekuj ka qenë dhe është egoja, mos komunikimi, dhe kryeneqësia ndaj vëllaut më shumë se ndaj “shkaut”! Ky ka qenë shkaku shekullor i humbjeve dhe për fat të keq po vazhdon të jetë zezëdiza e popullit tonë, gjithmonë humbës. Mirëpo, kjo që aktualisht është duke ndodhur në skenën politike, nga liderët e subjekteve politike është kulmi i turpit, një diçka që është absurd për një shoqëri me vetëdije minimale! Si ka mundësi që njerëzit e zgjedhur të popullit të guxojnë ta mbajnë peng qeverisjen e vendit!?! Si ka mundësi që, ende pa ia finalizuar pullazin shtetit të Kosovës, të zgjedhurit e popullit ta fillojnë t’ia rrënojnë themelet!?! Kjo është çmendi e padëgjuar ndonjëherë”, u shpreh ai.

Skënder ZogajFoto galeri
Zogaj potencoi se, megjithëse e vonuar, ftesa e Kryeministrit Kurti për dialog është e domosdoshme dhe duhet përshëndetur, pasi vetëm përmes bisedimeve mund të gjenden zgjidhje për krizën politike.

“Së këndejmi, ftesa e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim të përbashkët drejtuar krerëve të subjekteve politike është më e domosdoshmja që është dashur të ndodh muaj më parë, sepse, patjetër që që të kishim zhvillime më të favorshme, mbase jo për liderët por gjithsesi të dobishme për vendin dhe popullin. Qoftë edhe kot, duke biseduar do të kishte qenë më mirë se kjo që ka ndodh! Por, mbas muajve të humbur, mendoj se, ftesa e Kryeministrit Albin Kurti duhet përshëndetur, sepse, pa biseduar nuk ka zgjidhje”, shpjegoi publicisti.

Ndër të tjera, publicisti shpreh zhgënjimin që liderët shqiptarë hezitojnë të dialogojnë mes vete, edhe pse dialogojnë me Serbinë, dhe apelon që të gjithë të marrin pjesë në takimin e së shtunës.

“Liderët tanë duhet të qesin gishtin në kokë dhe të kuptojnë se, edhe pas konflitit të përgjakshëm e me mija sakrifica, shqiptarët po duhet të bisedojnë me Serbinë gjakatare, por po ngurojnë të bisedojnë me vëllezërit e vet! Situata është e palakmueshme sepse, nuk ka shenja të vullnetit të mirë! Nuk pres që të gjendet zgjidhja, as në takimin e së shtunës, por do të dëshiroja të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike”, foli Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Opozita i frikësohet një procesi të ri zgjedhor

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shpreh skepticizëm për rezultatet e takimit, por thekson nevojën që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kritikon Albin Kurtin për prirjen drejt zgjedhjeve, duke i kujtuar se duhet të veprojë brenda kornizës kushtetuese.

“Nuk pres shumë nga ky takim, ndonëse është e dukshme që ka një lodhje nga të gjitha palët dhe një pritje e përgjithshme për të dalë nga ky ngërç politik. Shpresoj që, në fund, partitë politike ta respektojnë “urdhrin” e Gjykatës Kushtetuese që brenda 30 ditësh të konstituohet Kuvendi. Albin Kurti duket se më shumë preferon shkuarjen në zgjedhje, megjithatë ai duhet të veprojë brenda rregullave të përcaktuara edhe nga Kushtetuesja”, thotë ai.

Faton MehmetiFoto galeri
Në fund, analisti beson se frika nga zgjedhjet mund ta shtyjë opozitën të lëshojë pe, duke hapur rrugë për zhbllokim, por thekson se gjithçka varet nga vetëdijësimi i saj për rolin që i ka shërbyer Kurtit.

“Nga ana tjetër, opozita i frikësohet një procesi të ri zgjedhor, gjë që mund ta shtyjë atë të lëshojë pe dhe kështu të zhbllokohet situata në Kuvend. Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë plotësisht i qartë, ai megjithatë ka krijuar një mundësi për dalje nga kjo gjendje. Çdo gjë tani varet nga opozita dhe nëse ajo do të kuptojë që për dy muaj rresht i ka shërbyer si levë Albin Kurtit për qëllimet e tij politike”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *