TË FUNDIT

Ushtarët gjermanë s’do të largohen nga Kosova! Bundeswehr do të vazhdojë misionin edhe për 12 muaj të tjerë

Në një debat prej gjysmë ore, deputetë gjermanë nga parti të ndryshme sollën argumente pro dhe kundër zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë.

Gjermania nuk largohet nga Kosova – të paktën jo këtë vit. Të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-it do të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit.

Çfarë thanë deputetetët në Bundestag?

closevolume_off
„E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk duhet reduktuar vetëm në çështje sigurie“, tha deputati konservator Johannes Volkmann (CDU/CSU) i cili merrte fjalën për herë të parë në parlament. Volkmann, nipi i kancelarit të njohur gjerman Helmut Kohl, i cili në vitin 1990 udhëhoqi ribashkimin historik të Gjermanisë, kërkoi një qasje më të guximshme ndaj Kosovës: „Si mund të ndihen brezat e rinj në Kosovë kur ende nuk është realizuar premtimi për integrim në BE që u dha në Selanik në vitin 2003?“ Ai i bëri thirrje BE-së që më në fund ta njohë Kosovën plotësisht dhe ta pranojë në Këshillin e Evropës.

Stefan Keuter, përfaqësuesi i së djathtë së skajme AfD, partia më e madhe opozitare në Bundestag, hodhi poshtë të gjithë logjikën e misionit në Kosovë. „Ky nuk është konflikti ynë. Ky mision nuk ka sjellë asgjë konkrete (..) Me ato para mund të ushqenim fëmijë të uritur në Jemen ose Sudan.“

Një tjetër zë kritik erdhi nga E Majta, ku deputetja Gökay Akbulut e quajti misionin e KFOR-it një „zgjidhje të ngrirë ushtarake pa perspektivë“. „Kosova është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Nuk kemi nevojë për më shumë trupa, por për shkolla, spitale dhe vende pune.“

Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbrojtën vendimin për zgjatjen e mandatit:

„Ushtarët tanë ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike“, tha ministrja Nancy Faeser (SPD), ndërsa Niklas Wagner (Të Gjelbrit) e quajti KFOR-in „spirancë stabiliteti“, dhe paralajmëroi: „Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësi – ndryshe vakuumin do ta mbushin aktorë autoritarë.“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *