Pas kundërshtimit të MASHTI-t për emërimin e bashkëshortes së Memli Krasniqit, reagon Instituti Albanologjik
Këshillit Drejtues sqaron se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore apo statutore që parashikon obligimin për t’u dërguar paraprakisht materiale anëtarëve të këtij këshilli për shqyrtim.
“Në përputhje me praktikën e konsoliduar të Institutit Albanologjik, sekretari i Institutit e lexon në mbledhje raportin përkatës të Këshillit Shkencor dhe ua shpërndan atë në formë të shtypur anëtarëve të pranishëm, raport i cili bëhet pjesë përbërëse e procesverbalit të mbledhjes. Kjo mënyrë pune është ndjekur në mënyrë të pandërprerë dhe nuk është kontestuar asnjëherë më parë nga ndonjë anëtar i Këshillit Drejtues. Prandaj, pretendimi i tanishëm për mungesë materiali nuk përbën bazë për shtyrjen apo kontestimin e mbledhjes. Kjo përbërje e Këshillit Drejtues, gjatë periudhës 2024–2025, ka emëruar tre ushtrues detyre të drejtorit dhe, në asnjërin rast, anëtarët e emëruar nga MASHTI nuk kanë kontestuar procedurën dhe nuk kanë kërkuar materiale paraprake, kërkesë që nuk gjen mbështetje në asnjë akt statutor”, thuhet në reagim.
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik bën të ditur se “në përputhje me nenin 29 të Statutit të Institutit dhe nenin 6.8 të Rregullores së Këshillit Drejtues, caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues, mbi bazën e propozimit të Këshillit Shkencor dhe me votim të shumicës së anëtarëve”.
Më tej, Këshilli Drejtues nënvizon se kjo është një procedurë e brendshme institucionale, e rregulluar qartë në aktet e Institutit, ku MASHTI nuk ka rol vendimmarrës, por vetëm informohet pas vendimit. “Ndërhyrjet ose komentet mbi ligjshmërinë e kësaj procedure nga jashtë institucionit nuk kanë bazë ligjore”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e Institutit Albanologjik i Prishtinës.
Tutje, Instituti Albanologjik qartëson përbërjen dhe rregulloren e punës së Këshillit Drejtues të këtij instituti.