POLITIKATË FUNDIT

Cilat janë sfidat politike në Kosovë dhe roli i SHBA-së?

Në emisionin RTK Prime u diskutua për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, si dhe për situatën në Kosovë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon. Analistët komentuan mbi zhvillimet politike të fundit, përfshirë edhe çështjen e lënies së Kosovës pa ambasador për një kohë, si dhe ndikimin që kanë deklaratat e presidentit Donald Trump në çështjet e brendshme dhe të jashtme të vendit.

Profesori Ibrahim Gashi tha se “lënia e Kosovës pa ambasador për një kohë është njëfarë lloj ndëshkimi për njëfarë padëgjueshmërie, por të shpresojmë që nuk është dënim, por sinjal, mesazh që dërgohet se nuk jemi shumë mirë”. Ai shtoi se “Trump paralajmëroi për disa probleme të pazgjidhura, e nisi me Ukrainën, por Ballkanin e konsideron si një zonë ku mund të ketë jo shumë burim të destabilitetit të madh”.

Gashi tha se “do të ketë një ngrehje veshi për palët për t’i ulur dhe për të dhënë një verdikt, çfarë mund të jetë ai ne nuk e dimë”.

Politologu Melazim Koci tha se “deklarata e Trump-it për Kosovën dhe Serbinë, duhet të analizohet me shumë kujdes, sepse është bërë në një moment delikat, në çastin kur zhvillohet një luftë në Ukrainë e një tjetër Izrael-Iran, e ai del e fut Kosovën si një nga çështjet kyçe botërore”.

Ai theksoi se kjo tregon se “në tavolinën e tij është Kosova”. Koci shtoi se Trump “ka pasur veprime të gabuara ndaj presidentit Biden” dhe se “kjo është një distancim i Trump-it nga marrëveshja franko-gjermane”.

Politologu Dorajet Imeri tha se “Kosova ka qenë më e angazhuar në politikën e jashtme në kohën kur nuk ka pasur institucione se sa tash”. Ai shtoi se “Kosova ka pasur lob, ka pasur struktura, ka pasur më aktivistë më shumë në SHBA se sa sot që është shtet”. Imeri theksoi se “është tragjedi” dhe se “Kosova ka bashkëpunuar më shumë me Shqipërinë dhe aleatët kur nuk ka qenë fare shtet ose në përpjekje për të themeluar shtetin se sa sot që kemi gjitha institucionet e konsoliduara”.

Ai gjithashtu paralajmëroi për “rreziqet” e një zgjidhjeje të mundshme të çështjes së Kosovës me Serbinë, duke thënë se “nëse do të rrjedhë kësisoj situata, do të nënkuptojë se do të bëhen pjesë e një pako të përgjithshme të zgjidhjes së konflikteve botërore”. “Kjo do të nënkuptonte se do të rinegociohej kushtimisht, do të kishte koncesione të reja përtej gjithë atyre që janë bërë deri tash”, tha Imeri.

Ai theksoi se “në kuptimin e pakos së Ahtisarit, procesit të Brukselit dhe deri në ditët që po flasim, është një investim 30-vjeçar që Kosova ka pasur për të ardhur në moment të tillë, që ne potencialisht mund të njihemi gjerësisht dhe të pranohemi si anëtar i OKB-së, por mund të kemi koncesione që mund të jenë aq të dhimbshme sa që do ta përmbysin gjithë përpjekjen tonë 30-vjeçare”. “Fakti që është përmendur nga Trump, tregon se ai është i gatshëm për të vepruar”, tha Imeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *