TË FUNDIT

Propagandë apo rrezik real? Komentohen blerjet ushtarake të fshehta të Serbisë dhe mesazhet e dyshimta të Vuçiqit

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar së fundmi se Ushtria e Serbisë është “më e fuqishme se kurrë”, duke theksuar se blerjet ushtarake që janë bërë gjatë viteve të fundit janë kryer në fshehtësi dhe vetëm një numër i vogël njerëzish janë të informuar për to.

“E kemi mbajtur të fshehur, por këto janë ndryshime të mëdha për Ushtrinë e Serbisë në periudhën e ardhshme. Janë më së shumti pesë persona që dinë çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është ta mbrojmë vendin tonë”, ka deklaruar Vuçiqi.

Kjo ngre shqetësime të mëdha, veçanërisht në një kohë kur rajoni i Ballkanit dhe më gjerë po përballet me tensione të shkaktuara nga konfliktet globale si lufta në Ukrainë, përshkallëzimet në Lindjen e Mesme, ato ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë globale.

closevolume_off
Në këtë kontekst, fuqizimi ushtarak i Serbisë dhe retorika e saj paraqesin një rrezik të mundshëm destabilizues për paqen në Ballkan, duke nxitur shqetësime në opinionin publik të Kosovës.

Deklarata e Vuçiqit, Gecaj: Nuk duhen neglizhuar

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se deklarata e Vuçiqit, për fuqizimin e fshehtë të ushtrisë së Serbisë, përçon mesazhe serioze politike e strategjike.

Në një kontekst global të tensionuar, Gecaj ka paralajmëruar se rritja e armatimit serb mund të sinjalizojë përgatitje për veprime destabilizuese në rajon.

“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ushtria e Serbisë është “më e fuqishme se kurrë” dhe se “blerjet janë bërë në fshehtësi”, është e ngarkuar me mesazhe politike dhe strategjike që nuk duhen neglizhuar, veçanërisht nga institucionet e sigurisë në Kosovë dhe faktorët ndërkombëtarë që garantojnë paqen në rajon.

Së pari, retorika e tillë e një presidenti që drejton një vend që ende nuk ka hequr dorë nga aspiratat hegjemoniste në rajon, është shqetësuese. Fakti që blerjet e armëve janë bërë “në fshehtësi” dhe vetëm një “numër i vogël njerëzish” di për to, tregon mungesë transparence dhe devijim nga standardet e vendeve demokratike. Kjo nxit spekulime të arsyeshme se Serbia mund të jetë duke u përgatitur për skenarë që shkojnë përtej mbrojtjes së zakonshme.

Së dyti, kjo deklaratë, në kontekstin aktual global ku kemi përshkallëzime të rrezikshme në Lindjen e Mesme, luftë në Ukrainë dhe tensione në rajonin e Ballkanit, nuk është një mesazh i rastësishëm. Serbia, e mbështetur nga Rusia, ka provuar në të kaluarën të përdorë tensionet ndërkombëtare si mbulesë për veprime destabilizuese në rajon. Rritja e armatimit në një moment kur aleanca ndërkombëtare është e përqendruar diku tjetër, përbën rrezik real për sigurinë në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *