POLITIKATË FUNDIT

Policia konfiskon një arsenal të madh armësh luftarake në Zveçan; mitralozë, raketahedhës e granata gjenden në objektin e politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç

Njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe Prokurorinë, të monitoruara nga KFOR-i dhe EULEX-i, kanë zhvilluar sot një bastisje në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit, ku është zbuluar një sasi e madhe e armatimit të rëndë.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë operacionit janë gjetur raketahedhës dore (të njohura si zolla), granata dore, armë të tjera luftarake, municion i llojeve të ndryshme dhe pajisje të tjera ushtarake. “Një arsenal i tërë, i mjaftueshëm për një njësi të tërë terroriste”, deklaroi ministri Sveçla.

Ai gjithashtu bëri të ditur se armatimi është gjetur në një objekt që, sipas informatave të autoriteteve, i përket politikanit lokal serb, Aleksandar Arsenijević.

Ministri theksoi se institucionet e sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuara në garantimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit. “Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur”, u shpreh Sveçla.

Ai nënvizoi gjithashtu se lufta kundër strukturave kriminale dhe terroriste do të vazhdojë pa kompromis. “Nuk do të ndalemi derisa të çrrënjosim plotësisht mbetjet kriminale dhe terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, përfundoi ministri.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar ndërkohë që pritet edhe reagimi zyrtar nga autoritetet ndërkombëtare dhe të drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *