POLITIKATË FUNDIT

Tabaku: Shqipëria ka paga afrikane dhe çmime europiane

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me tone të forta përmes një videoje në rrjetet sociale mbi rritjen e papërballueshme të çmimeve në Shqipëri.

Tabaku e ka cilësuar këtë fenomen si një realitet të padrejtë për qytetarët, teksa thotë se sot Shqipëria konkurron me Bashkimin Europian vetëm për çmimet e larta.

Po ashtu, Tabaku vijon më tej duke thënë se pagat në Shqipëri janë të një niveli me vendet e Afrikës.

“Sot Shqipëria konkurron me Bashkimin Europian vetëm për çmime!” – deklaron Tabaku. Ajo nënvizon se sipas të dhënave zyrtare për vitin 2025, çmimet për produktet bazë si djathi, qumështi, vezët dhe vaji janë përkatësisht 25-30% më të larta se mesatarja e BE-së. Ndërkohë, karburanti mbetet ndër më të shtrenjtët në rajon, duke arritur çmime që kapin kufirin e 2 dollarëve për litër – të barabarta me ato të Zvicrës.

Tabaku thekson kontrastin e thellë mes standardit të jetesës në vend dhe niveleve europiane, duke rikujtuar se të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë vetëm 40% e mesatares së BE-së. “Ky është realiteti shqiptar: paga afrikane, çmime europiane!”, deklaron ajo.

Sipas saj, zgjidhja qëndron te kontrolli i tregjeve, hapja ndaj konkurrencës dhe përmbysja e modelit ekonomik të kapur nga pakica. Ajo kërkon që ekonomia të rikthehet në shërbim të shumicës dhe të familjeve shqiptare që sot përballen me barrën më të rëndë ekonomike në rajon.

“Përse qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë më shumë se europianët për të njëjtat produkte, kur kanë më pak të ardhura?”, pyet Tabaku, duke e mbyllur me një thirrje të qartë: Kjo duhet ndryshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *