Deputetja e VV-së: Pengesa në Kuvend nuk ka të bëjë me Albulena Haxhiun, por me Kurtin
Për zhvillimet e fundit politike në vend, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Pajaziti.
Ajo thotë se mos konstituimi i Kuvendit po dështon për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në votim edhe pse janë fizikisht të pranishëm në sallë.
Sipas saj, kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me detyrimet kushtetuese.
Për deputetetn Pajaziti ish-opozita është zhgënjyese në këtë çështje.
Derisa, për zgjedhjet e jashtëzakonshme, Pajaziti thotë se LVV është e gatshme nëse veç janë opsion për dalje nga bllokada.
Kurse, sa i përket unitetit brenda Lëvizjes, ajo thotë se uniteti është i plotë dhe se janë të bashkuar për të përfaqësuar vullnetin e qytetarëve.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike aktuale në vend?
Drita Pajaziti: Dje u mbajt seanca e 33-të dhe për herë të 23-të dështoi votimi për themelimin e Komisionit ad hoc për votim të fshehtë. Kjo po ndodh për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në votim, ndonëse fizikisht janë të pranishëm në sallë një sjellje e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me detyrimet kushtetuese.
“Bota sot”: Znj.Drita si po e shihni mos-konstituimin e Kuvendit, pse gjithë ky ngërç, dhe kush sipas jush duhet të lëshojë pe?
Drita Pajaziti: Të gjithë deputetët, pa dallim përkatësie politike, kanë detyrim kushtetues të marrin pjesë në procesin e votimit. Mungesa e pjesëmarrjes në votim, pavarësisht prezencës fizike në sallë, dëmton procesin demokratik dhe duket qartë se pengesa nuk ka të bëjë me znj. Albulena Haxhiu, por me një kundërshtim politik ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!
“Bota sot”: Si e shihni rolin e ish-opozitës në këtë fazë të ndjeshme politike?
Drita Pajaziti: Roli i opozitës në këtë fazë është zhgënjyes. Në vend se të ndihmojë në zhbllokimin institucional, ajo po kontribuon në ngërç përmes bojkotit dhe mungesës së bashkëpunimit.
“Bota sot”: A mendoni se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja?
Drita Pajaziti: Zgjedhjet e reja janë gjithmonë një opsion demokratik, dhe ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi të gatshëm për to, nëse ato paraqiten si e vetmja rrugë për dalje nga bllokada.
“Bota sot”: A ka unitet brenda Lëvizjes Vetëvendosje në raport me zhvillimet e fundit?
Drita Pajaziti: Uniteti brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i plotë. Ne jemi të bashkuar dhe të përkushtuar për të përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.