Ismail Muçiqi: Lajmet sensacionale nëpër media joprofesionale në Kosovë!
Energjia negative është bërë pothuajse shprehi në shumicën e mediave – televizive dhe portaleve të ndryshme – të cilat garojnë për të qenë të parat në publikimin e lajmeve sensacionale, shpesh pa i verifikuar ato paraprakisht. Këto dukuri po ndikojnë negativisht në krijimin e një atmosfere të shëndetshme dhe normale të jetës për qytetarët tanë.
Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është mungesa e profesionalizmit ku shumë prej atyre që sot janë pjesë e mediave, të cilat shpesh janë themeluar më shumë për interesa materialo-financiare sesa për misionin e informimit të saktë të opinionit publik.
Për vite me radhë, qytetarët janë bombarduar me lajme dhe tituj sensacionalë që shpesh mbartin tone defetiste dhe ndikojnë në rritjen e pasigurisë, stresit dhe mosbesimit në institucione. Kosova, një vend që ka dalë nga lufta me trauma të mëdha dhe plagë të thella, ende nuk është shëruar nga pasojat që armiku ia shkaktoi. Këto pasoja janë të pranishme në pothuajse çdo familje Kosovare.
Qytetarët kanë nevojë për lajme pozitive, për tema relaksuese e edukative, të bazuara në argumente dhe fakte, me shembuj të mirë dhe frymëzues, që duhet të jenë synimi i çdo mediumi serioz e me përgjegjësi ndaj publikut. Pothuajse e kemi harruar kur kemi parë për herë të fundit një reportazh nga ndonjë fabrikë apo ndërmarrje ku vlerësohen rezultatet e punës, ku rritet produktiviteti, ku njerëzit marrin rroga të dinjitetshme, ku krijohen vende të reja pune dhe ku zhvillohet ekonomia e vendit.
Po ashtu, prej vitesh mungojnë reportazhe nga fshatrat tona, ku zhvillohet jeta e përditshme, ku punohet me përkushtim në bujqësi dhe blegtori, ku arrihen rendimente të larta, dhe ku shumë familje mbijetojnë me nder e punë.
Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh sepse edhe jeta mediale është infektuar nga mafia ekonomike e biznesore, e cila ka depërtuar në këtë fushë duke hapur portale dhe televizione private për interesa personale, familjare dhe financiare. Këto media po keqpërdoren për të legjitimuar veprimtari të dyshimta dhe për të kanalizuar fonde të pista, sidomos në ndërtimin e objekteve banesore e hoteliere në qytetet tona.
Si rezultat i kësaj, jemi dëshmitarë të debateve politike tejet të tensionuara e polarizuese, të cilat vetëm sa i thellojnë ndarjet ndërnjerëzore në shoqëri. Kultura e komunikimit medial është degraduar në çdo aspekt për shkak të njerëzve të paarsimuar, të papërgatitur dhe joprofesionistë, të cilët sot kanë marrë fatin e informimit në duart e tyre dhe po e dëmtojnë rëndë etikën dhe misionin e gazetarisë në Republikën e Kosovës.