Samiti i SEECP në Tiranë, Serbia voton kundër deklaratës së përbashkët
Nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në Tiranë u zhvillua këtë të hënë Samiti i SEECP-së me pjesëmarrjen e liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Në përfundim të Samitit ka pasur diskutime lidhur me deklaratën e përbashkët e cila ishte parashikuar të firmosej para fotos familjare. Një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kryeministri i Serbisë ka qenë personi i parë i cili është larguar.
Euronews Albania raporton se Serbia ka pasur vërejtje dhe rezerva për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Gjithashtu gjatë takimit ka pasur përplasje për “fusnote” e Kosovës nga kryeministri i Serbisë, dhe për këtë arsye është larguar më herët nga takimi.
Serbia ishte i vetmi shtet që votoi kundër deklaratës së samitit të liderëve të SEECP në Tiranë.
Arsyet ishin: Dënimi i agresionit rus ndaj Ukrainës. Referenca ndaj NATO-s si aleancë që kontribuon në sigurinë euroatlantike.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në përmbyllje të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se Deklarata e Tiranës nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Sipas tij, Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e votuan dokumentin përfundimtar.
“Deklarata e përbashkët ishte dokumenti i Tiranës dhe u votua nga shumica e vendeve anëtare të SEECP-së. Serbia dhe Bosnja vendosën të mos e miratojnë, çka është e drejta e tyre sovrane. Megjithatë, me Kosovën ramë dakord për një deklaratë shtesë, ku u theksua se sanksionet e vendosura ndaj saj janë të padrejta dhe duhet të zgjidhen sa më parë, pasi nuk ndëshkojnë politikanët, por qytetarët e Kosovës”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përballë sfidave globale:
“Çfarëdo që ndodh sot në botë, është një rrezik edhe për rajonin tonë”, tha presidenti.
Samiti i SEECP-së u mbajt këtë të hënë në Tiranë, nën drejtimin e Presidentit Begaj, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit. Në përfundim, ishte planifikuar firmosja e deklaratës para fotos zyrtare të liderëve, por kjo nuk ndodhi.