Reagimi nga presidenti amerikan, Publicisti shqiptar: Ja çfarë më frikëson Trump, Kosova humbi shansin e artë për NATO-n
Publicisti shqiptar, Milaim Nela në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” e ka komentuar deklaratën e fundit dhënë nga presidenti amerikan, Donald Trump lidhur me çështjen Kosovë-Serbi.
Siç thotë Nela, duket se është kthyer sërish vëmendja e Administratës Amerikane ndaj konfliktit Kosovë-Serbi.
“Kjo menjëherë pas marrëveshjes së arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për marrjen nga kjo e fundit të deri në 50 azilkërkues nga SHBA tek vendet me të cilat SHBA nuk ka marrëveshje ekstradimi. Në pamje të parë kjo marrëveshje duket pozitive pasi kemi një komunikim të qeverisë së Kosovës me SHBA kur kemi pasur një kohë të gjatë të mungesës së komunikimit mes dy vendeve. Presidenti Trump është shprehur për një angazhim të ri të tij dhe administratës së tij në zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë, bile u shkua deri aty sa u vendos një paralelizëm mes Izraelit dhe Iranit”, thotë Nela.
Nela thekson se Trump mund të veprojë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, ashtu siç kishte bërë edhe në vitin 2020.
“Të mos harrojmë se Trump pati arritur një marrëveshje tri-palëshe Kosovë-SHBA-Serbi ku kryeministri i asaj kohe Abdulla Hoti dhe presidenti Vuçiq e nënshkruan këtë marrëveshje në zyrën e tij. Kjo marrëveshje deri në momentet e fundit qe përfolur si një zgjidhje përfundimtare, pra me njohje reciproke, por siç dihet, akuza e Gjykatës Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi ndryshoi shumëçka nga ajo që u paratha. Do të doja që kësaj radhe presidenti Trump të ketë mësuar më shumë për Kosovën dhe të vërtetat e konfliktit shqiptaro-serb!”, thekson Nela.
Sipas tij, marrëveshja e vitit 2020 e cila nga shumë u pa si shumë pozitive, në fakt pati disa pika shqetësuese.
“Veçoj këtu përdorimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit nga Serbia dhe Kosova, marrëveshje që e bën Serbinë bashkëpronare të burimit kryesor ujor të Kosovës. Ndërtimin e hekurudhës Merdare-Adriatik që i siguron Serbisë port në një shtet që nuk është as territor i Kosovës e as i Serbisë, por i Shqipërisë – e pa e pyetur fare këtë të fundit. Por pika më e errët dhe frikshme ishte pika që ndalonte Kosovën të kërkonte njohje për një periudhë 12-mujore në këmbim të moskërkimit të ç’njohjeve nga Serbia!”, shprehet Nela.
“Kjo e fundit shënoi një hap shumë serioz prapa në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës! Sot Kosova është në një situatë krejt tjetër, e kur qeveria e Kosovës gjendet nën një presion sanksionesh krejt të padrejtë nga Bashkimi Europian – sanksione që kanë në thelb kërkesën e negociatorëve për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kemi pasur sulmin terrorist serb të shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Republikës së Kosovës dhe të paktën 3 terroristë serbë, e ku u kap një arsenal i jashtëzakonshëm armësh e mjetesh luftarake që synonin ndarjen e veriut të Kosovës. Megjithatë, njeriu kryesor dhe kryesuesi i bandës terroriste, Milan Radoiçiq, jeton si krajl në Serbi!”, shpjegon analisti Milaim Nela për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se Serbia nuk ka hequr dorë ende nga ndarja e Kosovës, ani pse jo më përmes mjeteve ushtarake.
ImageMilaim NelaFoto galeri
“Për momentin duket se Serbia ka hequr dorë nga mënyra ushtarake e ndarjes së Kosovës, ama nuk ka hequr dorë për asnjë sekondë nga rruga paqësore e ndarjes së Kosovës përmes Asociacionit – narrativë kjo viktimë e së cilës ka rënë edhe opozita e Kosovës. Kjo mbase edhe për t’u dukur lojalë e bashkëpunuese me Perëndimin. Sot Kosova është me institucione të ngrira, ku ka 3 muaj që nuk arrin as të konstituojë Kuvendin e saj! Në këtë linjë, për fat të keq janë edhe faktorët politikë në Shqipëri që, në vend që të bëhen avokatë të interesave të Kosovës e të argumentojnë tek perëndimorët se pse nuk duhet Asociacioni e të demonstrojnë qëllimin e vërtetë të tij, vazhdojnë e i bien fyellit të Vuçiqit në dëm të Kosovës”, nënvizon Nela.
Pavarësisht se është pozitive deklarata e Trump, Nela shprehet se është e frikshme në rast se Kosova bëhet pjesë e ekuacionit Ukrainë-Rusi.
“Por Richard Grenell, një diplomat armik i betuar i Albin Kurtit dhe i dekoruari dhe miku i Aleksandër Vuçiqit, sot nuk duket të ketë ndikim e as nuk është pjesë e stafit diplomatik të administratës Trump. Ajo që më frikëson në zgjidhjen që ofron Trump sot është bërja e Kosovës pjesë e ekuacionit Ukrainë-Rusi. Dihet që Putini dhe Rusia nuk kanë hequr dorë asnjë moment nga interesat e tyre në Kosovë dhe Bosnje”, nënvizon Nela.
Për fund, ai thotë se Kosova humbi mundësinë e artë që të bëhet pjesë e NATO-s në kohën kur nisi lufta në Ukrainë.
“Kosova ka humbur një mundësi të artë në fillimet e konfliktit Ukrainë-Rusi duke mos lobuar për një anëtarësim sui generis në NATO, gjë e cila do ia kishte siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial. Përkundrazi, u bënë shumë hapa prapa. 5 vjet nga marrëveshja e Zyrës Ovale, Kosova është nën sanksione, Rama dhe Shqipëria janë qartësisht në anën e Serbisë dhe janë akoma më radikalë në kërkesën për Asociacion. Marrëveshja KOSOVË–SHBA për refugjatët është pozitive, por sa ka punuar Qeveria Kurti për të informuar dhe njohur administratën e re Trump me të vërtetën e saj, mbetet për t’u parë në ditët dhe javët në vazhdim – e kjo me shpresën se lufta Izrael-Iran nuk përshkallëzohet më tej, sepse kjo do të kishte pasoja të rënda edhe për Ballkanin, e veçanërisht për Kosovën!”, përfundon analisti dhe publicisti shqiptar, Milaim Nela.