POLITIKATË FUNDIT

Ndryshime në dialogun Kosovë-Serbi? Majkovci paralajmëron përpjekje të reja

Ditë më parë, presidenti i shtetave të Bashkura të Amerikës, Donald Trump e ka rikthyer vëmendjen tek marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se gjatë mandatit të tij të parë ndërhyri për të parandaluar një konflikt të dhunshëm në rajon.

Po ashtu, ai ka deklaruar se do ta rregullojë përsëri situatën.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!)”, ka shkruar Trump në postimin e publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social”.

Politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Presidentit Trump për rikthimin në çështjen e Kosovës dhe Serbisë tregon se Ballkani mbetet pjesë e agjendës amerikane, edhe në kohë zhvillimesh globale

Sipas tij, çdo përfshirje amerikane në procesin e dialogut është e mirëseardhur.

ImageFahredin MajkovciFoto galeri
“Deklarata e Presidentit Trump për t’u rikthyer në çështjen e Kosovës dhe Serbisë dëshmon se temat e Ballkanit mbeten pjesë e agjendës amerikane edhe në kohë të zhvillimeve të mëdha globale.

Duhet rikujtuar se Presidenti Trump, gjatë mandatit të tij të parë, ndërmjetësoi Marrëveshjen e Uashingtonit në vitin 2020, e cila, ndonëse kishte kryesisht karakter ekonomik, u pa si një përpjekje për të afruar palët drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në rast të një rikthimi të mundshëm të tij në këtë proces, mund të pritet një qasje më pragmatike, më direkte dhe më e orientuar drejt marrëveshjeve të shpejta.

Natyrisht, çdo përfshirje amerikane në procesin e dialogut është e mirëseardhur, por duhet theksuar se për Kosovën nuk ka më dilema: pavarësia është e pakthyeshme, sovraniteti është i plotë dhe çdo iniciativë për Asociacion që cenon ose minon sovranitetin, duhet refuzuar. E ardhmja e Kosovës është euroatlantike.

Është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ushtrojë rolin e saj aktiv në këtë proces, duke siguruar që çdo iniciativë eventuale të bazohet mbi këto parime themelore dhe të mos lejohet hapja e temave që cenojnë interesat shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai .

Po ashtu, Majkovci ka treguar se çfarë mund të parashikohet nga një angazhim i Presidentit Trump.

“Një angazhim i mundshëm i Presidentit Trump mund të sjellë qasje më direkte dhe marrëveshje të shpejta që i shërbejnë agjendës së politikës së jashtme amerikane. Por rreziku qëndron te shmangia e kompleksitetit politik, historik dhe ligjor të çështjes së Kosovës, gjë që mund të ketë pasoja serioze”, ka vlërësuar ai.

Në fund, Majkovci është pyetur nëse kjo mund të nënkuptojë një ndryshim apo përfundim të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj se kjo domosdoshmërisht nënkupton fundin apo ndryshimin e procesit të dialogut, por mund të sjellë përpjekje për ta orientuar atë sipas interesave të administratës në Uashington.

Prandaj, klasa politike e vendit tonë duhet të ndalë ciklin e dështimeve në Kuvend dhe të mundësojë formimin e institucioneve. Vetëm kështu vendi mund të jetë i përgatitur për dialogun dhe për proceset e tjera të rëndësishme që e presin Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Majkovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *