Limaj: Po të kishte Nisma më shumë deputetë, tashmë do të kishim institucione
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u bëri thirrje partive politike që të lënë anash siç tha ai egot personale dhe të bisedojnë për një marrëveshje të mundshme për ndërtimin e institucioneve. Ai tha se po të kishte Nisma më shumë deputetë, Kuvendi tashmë do të zhbllokohej.
Para gazetarëve, Limaj i quajti “politikanë të mëhallëve” ata që nuk nuhasin dhe parashikojnë zhvillime politike.
Limaj: Politikanët që nuk parashikojnë, nuk nuhasin zhvillime politike ata janë politikanë të mahallave
“Një politikan që merr guximin të thotë po shkojmë në zgjedhje dhe nuk e shfrytëzon atë që ka ndodhur e që i ka dhënë besimin e qytetarëve për të ndërtuar institucionet, si do të shkojmë në zgjedhje… Ata politikanë që nuk parashikojnë, nuk nuhasin zhvillime politike ata janë politikanë të mëhallëve, bëhet politikë e mëhallëve”, tha Limaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se pasojat dhe krizat do të vazhdojnë në vendin tonë nëse vazhdon një situatë e tillë në Kuvend, shkruan KosovaPress.
Sipas tij, është koha e fundit që t’i jepet fund hipokrizisë edhe në politikë edhe në shoqëri.
Limaj: Po të kishte Nisma më shumë deputetë sesa që ka, tashmë do të ishte e mbyllur çështja e ndërtimit të institucioneve
“Pasojat dhe kriza do të vazhdojë si cikël i asaj që po flasim. Një ministër kur jep dorëheqje ose kryeministri dorëhiqet destabilizohen vendet normale e lëre me një vend ku tash e disa muaj jemi pa qeverisje. Klima çka e motivon biznesin është siguria. Nëse nuk ka siguri, nuk ka klimë, biznesi ose amortizohet ose largohet nga vendi. Ka pasoja. Bota është trazuar. Bëj apel tek të gjitha forcat politike, leni egot personale. Uluni gjeni gjuhën e përbashkët, ejani t’i ndërtojmë institucionet me marrëveshje politike… Po të kishte Nisma më shumë deputetë sesa që ka, tashmë do të ishte e mbyllur çështja e ndërtimit të institucioneve dhe qeverisjes. Është koha t’i japim fund hipokrizisë edhe në politikë edhe në shoqëri”, tha Limaj.
Sot dështoi për të tridhjetetretën (33) herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.