“Unë do ta zgjidh, sërish” / Bytyçi tregon formulën e Trump për Kosovën: E ka pranuar edhe Putin
Për herë të parë që kur u rikthye në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka shkruar lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetin e vet “Truth”, Trump ka shkruar se “do ta zgjidh” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën e ka akuzuar ish-presidentin Joe Biden.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin fort, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt jetëgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndala (Biden ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime të marra, por unë do ta zgjidh, sërish)”, ka shkruar Donald Trump.
closevolume_off
E kjo deklaratë e Trump po shihet si sinjal i mirë për Kosovën dhe përfundimin e dialogut me Serbinë.
“Presidenti Donald Trump erdhi në pushtet me premtimin për paqe në botë. Ai është një president serioz dhe për këtë arsye e kërkon me ngulm suksesin e tij për mbajtjen e premtimit që jep. Kjo karakteristikë e tij më bën të besoj se Donald Trump është i sinqertë në deklaratat që bën. Nga sa shihet, deklarata për Kosovën nxitet nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Sulmet ushtarake fillimisht të Izraelit kundër Iranit dhe përkeqësimi i situatës së konfliktit më pas nuk u pritën me entuziazëm nga presidenti amerikan. Fakti që kryeministri i Izraelit bëri thirrje disa herë që Amerika të përfshihet në luftë, sepse sulmet e tij, thotë Netanjahu, mbrojnë edhe SHBA-të, dëshmon se inkursioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit u mor pa dijeninë, ose së paku pa dakordësinë amerikane”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
Siç thotë Bytyçi, Trump e quan sukses marrëveshjen e tij veçmas me kryeministrin Abdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në shtator të vitit 2020.
“E kam thënë dhe atëherë dhe e përsëris gjithashtu sot, se siç kishin marrë punët asokohe për ndarjen e Kosovës, ajo marrëveshje ishte jo vetëm sukses i Donald Trump, por edhe i Kosovës. Në fund të fundit, nuk pati asnjë opsion për ndryshimin e territoreve dhe Kosova fitoi njohjen nga ana e Izraelit. Por duhet të kemi parasysh edhe një fakt. Në projekt–marrëveshjen e asaj kohe ishte parashikuar që Serbia ta njihte Kosovën si shtet të pavarur e sovran brenda një viti prej kohës që do të nënshkruhej ajo. Sot, pas pesë vitesh, duhet besuar se kjo klauzolë do të shprehet qartë dhe me diktim. Madje jo në afat kohor prej një viti e më shumë, por menjëherë. Rrethanat në Serbi dhe pozita e rënduar e Vuçiq atje e favorizojnë këtë opsion”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
“Por jo vetëm kaq. Asokohe Trump ishte pompuar nga Grennell e të tjerë, përfshirë Bolton, me idenë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë në ujdi për shkëmbimin e territoreve. Megjithatë, presidenti Trump në marrëveshje nuk e përmend askund këtë opsion. Sot jemi në kohë të tjera. Askush në Kosovë nuk mund të marrë përsipër ndarjen e saj. Përkundrazi, partia në pushtet dhe një pjesë e opozitës e kundërshtojnë ashpër. Në SHBA nuk besoj të rikthehet Grennell në çështjet e Ballkanit. Është tashmë Marco Rubio ai që ‘kollitet’ aty, edhe si Sekretar i Shtetit, edhe si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Nëse Donald Trump merret sërish me Kosovën dhe zgjidhjen e konfliktit të saj me Serbinë, ai do të konsultohet me njerëz seriozë, të cilët nuk zgjidhin një konflikt për të shtuar konflikte të tjera. Pra, është një ogur i mirë ky”, nënvizon Bytyçi.
Sipas tij, ky reagim nga Trump vjen edhe pasi Kosova pranoi që të strehojë refugjatë nga SHBA.
“Së dyti, kjo deklaratë e presidentit amerikan erdhi menjëherë pasi Kosova pranoi se do të ndihmojë SHBA-të për të marrë refugjatë prej saj. Ja çfarë do të thotë të bësh diplomaci me kushte ‘jep dhe merr’. Kjo do të thotë se me zotin Trump Kosova mund të merret vesh në terma të interesit të përbashkët. Një prej këtyre interesave është që liderët e Kosovës të hartojnë një projekt perspektiv në fushën e investimeve me përparësi. Kjo do të jetë mënyra më e mirë për të forcuar mbështetjen e SHBA-ve”, shpjegon Bytyçi.
Bytyçi thotë se Trump me të drejtë kritikon ish-presidentin Biden për qasjen ndaj dialogut Kosovë–Serbi.
“Zoti Trump kritikon qëndrimin e administratës Biden sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Kosovë. Dhe ka plotësisht të drejtë. Shumë prej nesh nuk jemi pajtuar me ato politika që atëherë. Kemi kundërshtuar hap pas hapi qasjen e diplomatëve amerikanë sa i përket qëndrimit dhe kritikave të tyre kundër qeverisë së zotit Kurti për shtrirjen e sovranitetit në veri të Mitrovicës. Besoj se pikërisht këtë ka parasysh presidenti amerikan, kur mban qëndrim kritik ndaj administratës së mëparshme”.
“Tani jemi në situatë më të favorshme në këto kohë. Kosova tashmë është sovrane në të gjithë territorin e saj. Ndërkohë, veç konfliktit në Lindjen e Mesme, prej vitesh vazhdon lufta në Ukrainë. Donald Trump nuk do të donte që me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të dobishme për këtë të fundit, t’i jepte municion Moskës në kërkesat e saj në Ukrainë. Ndërkaq, ka shumë mundësi që Kosova të këmbehet me Krimenë, në bisedimet e paqes me Vladimir Putin, dhe Putin e ka pranuar këtë formulë”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.